Katër palestinezë vriten nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën katër palestinezë u vranë në incidente të ndara në Rripin e Gazës gjatë së martës, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

Mjekët thanë se një person humbi jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur pasi një sulm ajror izraelit goditi një automjet në lindje të Deir al-Balahut, në pjesën qendrore të Gazës, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Një tjetër sulm më herët gjatë ditës vrau një person dhe plagosi një tjetër në qytetin e afërt Zawayda, shtuan burimet mjekësore.

Më vonë, një sulm ajror goditi një kamp në Khan Younis, në jug të Gazës, duke lënë të vdekur një person.

Sipas mjekëve, një palestinez tjetër u vra nga të shtënat e forcave izraelite në veriperëndim të Khan Younisit, duke e çuar në katër numrin e viktimave të raportuara gjatë së martës.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se kishte hapur zjarr ndaj dy personave që po i afroheshin vijës së kontrolluar nga Izraeli pranë Khan Younisit.

Armëpushimi i arritur në muajin tetor, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump, nuk ka arritur t’i ndalojë plotësisht sulmet izraelite në Gaza.

Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të jenë të bllokuar në bisedimet indirekte për zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes, e cila përfshin çarmatimin e grupit palestinez dhe tërheqjen e forcave izraelite.

Armëpushimi e ka lënë Izraelin në kontroll të më shumë se gjysmës së territorit të Gazës, ndërsa Hamasi kontrollon një pjesë të vogël të zonës bregdetare.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, rreth 930 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.

Megjithatë, theksohet se këto shifra nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

 

Të fundit nga rubrika