Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin në fshatin Rudar të Zveçanit. Ai ka thënë se ky aksident ka ndodhur rreth orës 15:40, dhe në të janë të përfshira tri automjete, ndërsa një prej tyre ka ikur nga vendi i ngjarjes.

“Sipas informatave fillestare dyshohet se një nga automjetet e përfshira ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe Policia po punon për identifikimin e tij dhe për sqarimin e rrethanave të tjera në këtë aksident. Katër persona raportohet se janë të lënduar në ketë aksident dhe janë përcjellë për trajtim mjekësor, përderisa ekipet kompetente policore janë duke kryer hetime relevante për trajtimin e rastit sipas procedurave ligjor”, ka thënë Kelani.

“Në rrugën magjistrale Mitrovicë veri-Jarinjë, në fshatin Rudar të Zveçanit rreth orës 15:40 është raportuar për një aksident trafiku ku janë përfshirë 3 automjete”.

“Njësitet policore iu kanë përgjigjur rastit, është njoftuar emergjenca dhe me të arritur në lokacion është konstatuar se aksidenti është me lëndime trupore dhe dëme materiale”, ka përfunduar ai për Dukagjini.com.