Të paktën katër persona janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur në një sulm me armë zjarri gjatë një mbledhjeje familjare në qytetin Stockton të Kalifornisë, njoftuan autoritetet amerikane.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje në një restorant në pjesën veriore të qytetit. Policia tha se mes viktimave ka si të rritur ashtu edhe fëmijë, ndërsa gjendja e të plagosurve ende nuk është konfirmuar.

Autori i sulmit është ende në arrati, dhe hetuesit besojnë se ngjarja mund të ketë qenë e “qëllimshme” dhe jo një akt i rastësishëm.

Zëvendëskryetari i bashkisë së Stockton tha më herët se sulmi kishte ndodhur gjatë një ditëlindjeje për fëmijë, megjithëse policia deri tani ka konfirmuar vetëm se bëhej fjalë për një mbledhje familjare.

“Një festë ditëlindjeje nuk duhet të jetë vend ku familjet frikësohen për jetën e tyre,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut San Joaquin, përleshja me armë ndodhi pak para orës 18:00 sipas kohës lokale (02:00 GMT të dielën). Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacione apo video nga momenti i sulmit të kontaktojnë menjëherë policinë.

Zëdhënësja Heather Brent e përshkroi incidentin si “të pakonceptueshëm”, duke theksuar se hetimet janë ende në fazë shumë të hershme.

“Të dhënat fillestare sugjerojnë se bëhet fjalë për një sulm të synuar,” tha ajo.

Kryetarja e bashkisë, Christina Fugazi, e quajti ngjarjen “të papranueshme”.
“Familjet duhet të jenë së bashku, jo nëpër spitale duke u lutur që të afërmit e tyre të mbijetojnë,” tha ajo.

Kalifornia njihet për ligjet e rrepta mbi armët e zjarrit, por përgjatë viteve të fundit ato janë përballur me sfida të shumta ligjore.

Në vitin 2021, një gjykatës federal hodhi poshtë ndalimin e armëve të tipit sulmues si pushka AR-15, ndërsa një vit më vonë Gjykata e Lartë e SHBA-së zgjeroi të drejtat për mbajtjen e armëve, duke vënë në pikëpyetje rregullime të ngjashme në Kaliforni.