KDI: Projektligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme cenon integritetin zgjedhor

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka hedhur kritika mbi projektligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, duke konstatuar se një projektligj i tillë ka mangësi dhe e cenon integritetin zgjedhor.

Në reagimin e tyre, thuhet se pritjet ishin që Komisioni ad-hoc, i cili e përmbylli punën njëvjeçare, ta trajtonte reformën zgjedhore në mënyrë më serioze e përmbajtësore dhe jo të adresohen vetëm çështjet teknike.

Sipas tyre, shumë elemente që garantojnë përfaqësim të drejtë dhe avancim të demokracisë janë lënë anash.

Po ashtu, sipas KDI-së, projektligji ka pasur vetëm ndryshime kozmetike, që i shërbejnë më tepër akomodimit të interesave të partive politike.

“Edhe pse pritjet ishin që Komisioni të trajtonte reformën zgjedhore në mënyrë më përmbajtjesore, pra në përputhje me vetë emrin e tij, projektligji që do t’i prezantohet Kuvendit ka adresuar vetëm çështje të natyrës teknike që lidhen me administrimin e zgjedhjeve, e të cilat ishin kërkuar vazhdimisht nga misionet e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Shumë elemente, që janë në interes të garantimit të përfaqësimit sa më të drejtë dhe avancimit të demokracisë janë lënë anash, përkundër nevojës dhe rëndësisë që ato kanë. Në fakt, kjo “reformë”, përtej ndryshimeve kozmetike, i ka shërbyer shumë më tepër akomodimit të interesave të ngushta të subjekteve politike, veçanërisht lidhur integritetin e procesit zgjedhor – ku është shënuar regres serioz”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas KDI-së, partitë politike janë pajtuar që t’u mundësohet kandidatëve që janë dënuar me kusht apo me gjobë, të kandidojnë në lista zgjedhore.

Ndalesa e kandidimit do të vlejë vetëm ndaj personave të dënuar me burgim efektiv, prej së paku një viti.

“Kështu, subjektet politike janë pajtuar që me këtë projektligj ta ulin standardin për përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, që në praktikë ua mundëson kandidimin edhe atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale. Ndalesa për të qenë kandidat në lista zgjedhore do të vlejë vetëm ndaj personave të dënuar me burgim efektiv prej së paku një viti apo atyre me dënime plotësuese. Duke qenë se sistemi ynë i drejtësisë shquhet për politikë të ulët ndëshkimore – ku vetëm gjatë dy viteve të fundit 2/3 e veprave penale për korrupsion kanë përfunduar me dënim me kusht apo me gjobë – projektligji i ri i hapë rrugë kandidimit, rrjedhimisht zgjedhjes së personave që kanë probleme me ligjin”, thuhet në reagimin e KDI-së.

KDI-ja ka rekomanduar që “kandidimi t’u mohohet të gjithë personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit, për veprat e rënda penale të përcaktuara sipas nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës – ku mes tjerash, përpos veprave të dënueshme me mbi 10 vite burgim, përfshihen edhe veprat penale të korrupsionit, veprat e cenimit të të drejtave zgjedhore dhe kundër integritetit të zgjedhjeve, krimin e organizuar”.

Me projektligjin e ri, sipas KDI-së, është ndryshuar edhe votimi preferencial, nga pesë kandidatë sa ka qenë, në 10. Tashmë qytetarët do të kenë mundësi t’i votojnë 10 kandidatë në vend të pesë.

“Me projektligjin e ri është ndryshuar edhe votimi preferencial, nga pesë kandidatë – sa ka qenë deri më tani, në 10 – sa ka qenë në zgjedhjet e vitit 2007. Bazuar në përvojën tonë në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe edukimin e votuesve, dhënia e mundësisë për votuesit që të votojnë deri në 10 kandidatë nuk kontribuon në përfaqësim më të mirë apo më kualitativ në Kuvend. Për më keq, rritja e votës preferenciale ka ndikim negativ edhe në administrimin e zgjedhjeve. Përveç dyfishimit të kohës që duhet për numërimin e këtyre votave, rritet potenciali i manipulimit të vullnetit qytetar nga ana e komisionerëve, posaçërisht në rastet kur votuesit potencialisht do të shënjojnë më pak se 10 kandidatë”, thuhet në reagim.

KDI-ja ka rekomanduar se vota preferenciale të zbresë në mundësinë e votimit të vetëm tre personave, dhe jo në 10 apo në pesë.

Çështja tjetër problematike, sipas KDI-së, është mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 e përbërjes së KQZ-së, për rastet e shkeljeve të integritetit apo statusit të KQZ-së, që deri më tani ka qenë në diskrecion të plotë të presidentit.

“Ndryshimet e propozuara, përveç se nuk adresojnë problematikën e paqartësisë mbi rrethanat e shkarkimit, në fakt mundësojnë cenim edhe më të rëndë të pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së. Ndryshimet në fakt mundësojnë politizimin e përfundimit të mandateve të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së, duke minuar besimin e publikut në këtë institucion. KDI vlerëson që KQZ-ja nuk duhet të ketë mundësi të propozojë shkarkimin e anëtarëve apo kryesuesit lidhur me shkeljet e pretenduara të statusit apo integritetit të KQZ-së. Kurse, projektligji i ri duhet të parashohë qartazi rrethanat, veprimet apo mosveprimet, të cilat mund të përbëjnë shkelje të integritetit apo statusit të KQZ-së – që mund të përdoren si bazë për përfundimin e parakohshëm të mandatit të anëtarëve të KQZ-së”, thuhet në reagim.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika