KDI: Pushteti t’i sigurojë numrat, dhjetëra projektligje presin miratimin për mbi 2 vjet

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur shqetësimin për vonesa në miratim të ligjeve në Kuvend dhe i ka kërkuar partisë në pushtet që t’i sigurojë numrat për miratim të tyre

Ilustrim

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur shqetësimin për vonesa në miratim të ligjeve në Kuvend dhe i ka kërkuar partisë në pushtet që t’i sigurojë numrat për miratim të tyre.

KDI-ja të premten ka publikuar të dhëna që thuhet se dëshmojnë për vonesa të mëdha në miratimin e 13 projektligjeve.

“Miratimin e Kuvendit mbi 2 vite e presin projektligjet si ai për festat zyrtare, për vetëqeverisjen lokale, bujqësinë, tokën ndërtimore, aktet juridike dhe faljen e masave ndëshkimore gjatë pandemisë COVID-19. Përveç tyre, në Kuvend mbi 1 vit po presin miratimin edhe 7 projektligje të tjera, ndër to ai për lotarinë, arsimin e lartë, tekstet shkollore, për verërat, për lirinë fetare, për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor, si dhe projektligji për tatimin në pronë”, thuhet në komunikatën e KRD-së.

Arsyeja pse ende nuk janë miratuar disa nga projektligjet në fjalë, thuhet se është kryesisht për shkak se për miratimin e tyre nevojitet shumica e dyfishtë, konkretisht shumica e votave nga komunitetet joshumicë.

“Për shkak të bojkotimit të Kuvendit nga ana e Listës Serbe, mbetet e paqartë se kur do të miratohen këto projektligje nga ana e Kuvendit. Gjithashtu, rikthimi potencial i kësaj partie në Kuvend nuk garanton përkrahje për miratimin e tyre. Në rastet e tjera, vonesa ka pasur në miratimin e disa prej projektligjeve që nuk janë sponsorizuar nga Qeveria, e cila rëndom shtyn përpara agjendën e saj legjislative. Projektligje, si ai për tatimin në pronë, që është propozuar nga 6 deputetët të opozitës, apo ai për faljen e masave ndëshkimore të pandemisë, që është propozuar nga mbi 10 mijë qytetarë, presin ende radhën për t’u miratuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas Rregullores së Punës, koha që i nevojitet Kuvendit për të miratuar një projektligj llogaritet të jetë rreth 6 muaj. Përjashtim nga ky rregull bëjnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat parashihet të miratohen brenda 3 muajve.

“Megjithatë, edhe miratimi i tyre është zvarritur me muaj të tërë nga mungesa e konsensusit mes pozitës dhe opozitës, që ka pamundësuar sigurimin e 2/3 të votave të nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Vonesat në miratimin e projektligjeve thuhet se reflektojnë mungesën e efikasitetit të institucionit të Kuvendit dhe ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht në mirëqenien e qytetarëve.

“Për të adresuar këtë çështje, KDI inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet partive politike të pozitës dhe opozitës dhe partive nga radhët e komuniteteve joshumicë. Është e domosdoshme që të gjenden mënyra efektive për të siguruar që procesi legjislativ të jetë efikase dhe në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika