“Pas propozimeve të fundit për dialogun, qeveria të mos heshtë”, kështu ka bërë thirrje Instituti Demokratik i Kosovës(KDI).

Sipas KDI-së, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është në një dinamikë të re, pas vizitave të ndërmjetësuesve të dialogut në Kosovës nga ShBA-ja dhe BE-ja.

“Nga deklarimet e emisarit Gabriel Escobar, për përkrahjen e SHBA-ve ndaj të ashtuquajturit propozim ‘franko-gjerman’, tashmë është konfirmuar ekzistenca e një propozimi konkret që u është ofruar palëve për arritjen e një marrëveshje”.

Sipas KDI-së, institucionet e shtetit të Kosovës nuk janë transparente për zhvillimet që janë duke ndodhur në procesin e dialogut.

“Presidentja dhe Kryeministri i vendit ende nuk janë deklaruar lidhur me përmbajtjen dhe qëndrimin e Kosovës karshi këtyre zhvillimeve dhe propozimeve”.

“Prandaj, KDI kërkon nga Qeveria që në kuadër të kompetencave të saj, të kërkojë mbajtjen e një seance parlamentare ku do të trajtoheshin detajisht zhvillimet e fundit në procesin e dialogut, si dhe qëndrimet e Kosovës ndaj tyre. Në të kundërtën, Kuvendi duhet që të ushtrojë funksionin mbikëqyrës me vetiniciativë, duke e ftuar Kryeministrin në raporti”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

KDI ka thënë se inciativa e e Kryeministrit Albin Kurti për t’i takuar krerët e partive opozitare në funksion të konsensusit politik, nuk nuk duhet t’i zëvendësojnë obligimet kushtuese e ligjore të Qeverisë, për të raportuar në Kuvend dhe për ta informuar publikun.