Një raport që të hënën u bë publik për disa nga vendet e rajonit, nxiti reagime në Kosovë.

Aty vlerësohej progresi i Maqedonisë Veriore e Malit të Zi nga Bashkimi Evropian(BE) por bujë bëri një pjesë ku këto dy vende kritikoheshin se ndër të tjera kosovarët lëvizin pa viza në dy shtetet e rajonit.

Por, një ditë pas Komisioni Evropian(KE) tha se ky ishte një gabim teknik.

“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian dhe ne, absolutisht, e mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, ka deklaruar Eric Mamer, zëdhënësi i KE-së.

E ky ndryshim qëndrimi sipas Zyrës së Presidentes u bë pikërisht për shkak të ndërhyrjes së saj.

Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes shkroi në Twitter se Presidentja kishte një bisedë për këtë çështje në Tiranë me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula Von Derleyen.

Por, edhe përkundër mohimit nga KE, njohësit e çështjeve politike në Kosovë, mendojnë se mbrapa këtij postimi ka një mesazh për Kosovën.

“BE-, nuk ka fare politikë për Kosovën, në njërën anë këto ditë flasin për liberalizim të vizave dhe në anën tjetër flasin për vendosje të vizave ndajë kosovarëve. Është përpjekje për të shtuar presione ndajë Kosovës në theks tek dialogu dhe mesazhi është, që nëse nuk bahen ma të urtë atëherë kemi më ju vendos viza. Kjo është përpjekje për presion ndaj Kosovës”, ka thënë Milazim Krasniqi.

“Mund të ketë ndodh nga pakujdesia ose për të arritur një presion ndajë Kosovës. Kjo është në kundërshtim më marrëveshjen në kuadër të Berlinit”, ka theksuar Gazmir Raci.

Ndërkohë, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pritet të ndodh më së largu në janar të 2023-s kur në fuqi të hyjë sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS.