KE publikon Raportin për Kosovën- kritikohet menaxhimi i Kuvendit dhe kërkohet marrëveshje urgjente me Serbinë

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën, për vitin 2022. Në raport është kritikuar Kuvendi i Kosovës për menaxhim të dobët, ndërsa për dialogun me Serbinë është thënë se duhet të tregohet më shumë konstruktivitet, duke shtuar këtu faktin se një marrëveshje mes dyja vendeve është urgjente pasi do të mundësojë avancimin e dy shteteve drejt Evropës





Komisioni Evropian të mërkurën e 12 tetorit ka publikuar Raportin për Kosovën, i cili vlen për vitin 2022. Në gjetjet kryesore, është kritikuar puna e Kuvendit të Kosovës, duke u vlerësuar për menaxhim të dobët të agjendës legjislative.

“Kosova gëzon stabilitet politik, ku Qeveria ka një shumicë solide në Kuvend. Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur një kuorum vendimmarrës, ndonëse Qeveria ka një shumicë të fortë. Kjo është pjesërisht për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative nga ana e shumicës, por edhe për shkak se anëtarët e opozitës në Kuvend kanë abstenuar nga votimi për të penguar miratimin e ligjeve”, thuhet në raport.

Në raportin e KE gjithashtu është vlerësuar edhe organizimi i zgjedhjeve komunale të vitit 2021, që për këto të fundit është thënë se kanë qenë të mirë organizuara, transparente dhe konkurruese.

“Procesi zgjedhor në Kosovë ende ka nevojë për një fuqizim gjithëpërfshirës për t’i adresuar dobësitë e kahershme gjatë ciklit elektoral, siç janë identifikuar nga misionet e BE-së për vëzhgim të zgjedhjeve që nga viti 2014”, vazhdohet tutje në raport.

Tutje raporti i KE-së, situatën në veri të Kosovës e ka quajtur sfiduese.

“Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për liri të shprehjes”, është thënë në raport.

Një pikë tjetër që raporti i KE-së i ka kushtuar rëndësi është drejtësia në Kosovë, që është thënë se ka njëfarë progresi, edhe pse sipas raportit në përgjithësi administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm.

“Janë marrë hapa për të filluar së implementuar strategjinë e sundimit të ligjit dhe për të reformuar kornizën legjislative që rregullon sistemin prokurorial duke amandamentuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Reforma në drejtësi duhet të adresuar para së gjithash duke përmirësuar implementimin e mjeteve ekzistuese për të ruajtur integritetin, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Angazhimi i Qeverisë për të zbatuar plotësisht opinionin e Komisionit të Venecias për koncept-dokumentimin për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në bashkëpunim me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në raportin e KE-së.

Ndërkaq për luftën kundër korrupsionit, është thënë se Kosova ka bërë një progres në këtë aspekt.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar dhe është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Mjetet e fuqishme të parashikuara nga Kodi Penal dhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht. U zhvillua një sërë operacionesh së suksesshme që targetuan krimin e organizuar, përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërkufitar. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”, shkruhet në raportin e KE-së.

Krahas progresit për luftën kundër korrupsionit, raporti i KE-së e ka renditur si progres edhe luftën kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, duke thënë se ka progres në përputhje me objektivat e caktuara në marrëveshjen e BE-së.

“Kosova tregoi përkushtim për trajtim të pabarazisë gjinore. Duhet bërë më tepër për të garantuar në mënyrë efikase të drejtat e minioriteteve, përfshirë romëve dhe ashkalive dhe personave të zhvendosur, për të siguruar barazi gjinore në praktikë, dhe për të avancuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Mungesa e udhëzimeve administrative për të implementuar zbatimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, pengon përparimin e mëtejshëm në këtë fushë. Sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis pluralist dhe i gjallë mediatik. Megjithatë, shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e vetë qëndrueshmërisë financiare i lë mediat, përfshirë transmetuesin publik, të cenueshëm ndaj interesave politike dhe të biznesit”, theksohet në raportin e KE-së.

Raporti si përparim e ka quajtur edhe aftësinë e Kosovës për të përballur presionin konkurrues dhe forcën e tregut të BE-së, por ka shtuar se Kosova duhet të përparoj në digjitalizim ekonomikë dhe në krijimin e një strategjie afatgjate energjetike.

“Është bërë përparim në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve për t’iu adresuar shkathtësive për tregun e punës. Kosova ka bërë përparim në përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e ripërtërishme, por mbetet shqetësim furnizimi me qymyr, i vjetruar dhe jo i qëndrueshëm. Kosovës i mungon ende një strategji afatgjate energjetike. Kosova ka bërë disa përparime në digjitalizim të ekonomisë”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu ka shkruar edhe për marrëdhëniet fqinjësore të Kosovës, që sipas këtij raporti Kosova ka marrëdhënie të mira me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkaq nuk ka ndryshim të marrëdhënieve me Bosnjë- Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka regjim vizash mes dy vendeve.

Ndërkaq në këtë kuadër raporti ka prekur edhe çështjen e dialogut me Serbinë që i ka dhënë theks të veçantë marrëveshjes për energjinë dhe për letërnjoftimet, duke kërkuar më shumë konstruktivitet nga Kosova.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja në normalizimin e raporteve me Serbinë ka vazhduar me takime të rregullta mujore në nivel të shefave të ekipeve negociatore dhe në nivel të lartë në takimin më 18 gusht 2022. Palët miratuan një Udhërrëfyes për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në qershor të 2022-s dhe u pajtuan për udhëtimin vetëm me letërnjoftime në mes të Kosovës dhe Serbisë, në gusht 2022. Kosovës i nevojitet të angazhohet më konstruktivisht dhe të bëjë përpjekje të mëtejme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të së kaluarës dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit, ligjërisht të detyrueshme me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare për tua mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në raport.

Kështu raporti i KE-së, ka vënë re përparim në disa fusha dhe në disa të tjera përparim të kufizuar, kryesisht përparim është hasur në dogana, taksa, politika ekonomike dhe monetare, ndërsa në hulumtime më pak.

“Gjatë periudhës së raportimit është arritur njëfarë progresi në përafrimin me standardet evropiane në fushën e statistikave dhe kontrollit financiar, ndërsa është arritur progres i kufizuar në përafrimin me standardet evropiane në fushën e prokurimit publik. Në shumicën e fushave që kanë të bëjnë me tregun e brendshëm, Kosova ka një nivel të përgatitjes, duke përfshirë edhe konkurrencën. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka bërë disa përparime në të gjitha fushat, përveç politikës së konsumatorit dhe mbrojtjes së shëndetit, ku është bërë vetëm progres i kufizuar”, theksohet në raport për përparimet apo përparimet e kufizuara të Kosovës

Vlen të theksohet se raporti i KE-së lidhur me raportet e jashtme dhe politikën e tregtisë ka thënë se ka përparim të limituar.

 

 

 





Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika