KE rekomandon zyrtarisht nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën

Komisioni Evropian e ka miratuar të martën pasdite edhe zyrtarisht vendimin për të rekomanduar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën

Komisioni Evropian e ka miratuar të martën pasdite edhe zyrtarisht vendimin për të rekomanduar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, duke konstatuar se ky vend ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve që janë kërkuar.

Vendimi është miratuar në takimin e Kolegjit të Komisionarëve, ndërsa është prezantuar para gazetarëve nga zëvendëskryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq.

“I kemi rekomanduar Këshillit nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën dhe që të miratojë kornizën negociuese kur Bosnje-Hercegovina të ndërmarrë hapa në përputhje me raportin e Komisionit Evropian”, ka thënë ai.

Ky vendim është paralajmëruar më herët gjatë ditës edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Prej kur i dhamë statusin e kandidatit, Bosnjë e Hercegovina ka bërë hapa mbresëlënës drejt nesh. Më shumë përparim është arritur gjatë pak më shumë se një viti, sesa gjatë një dekade“, ka thënë Von der Leyen, duke i numëruar disa rezultate, përfshirë edhe faktin se Bosnjë e Hercegovina tash e ka nivelin e përshtatjes 100 për qind me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Ndër arritjet e tjera, sipas saj, janë edhe ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, përfshirja e dënimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të krimeve të luftës në Hagë në regjistrin shtetëror të krimeve dhe disa rezultate të tjera.

“Kjo është arsye pse ne sot vendosim që t’i rekomandojmë Këshillit që t’i hapë negociatat për anëtarësim me Bosnjë e Hercegovinën. Mesazhi nga Bosnja e Hercegovina është i qartë. Prandaj, edhe mesazhi ynë duhet të jetë i qartë, po ashtu. E ardhmja e Bosnjë e Hercegovinës është në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, vendimin për nisjen e negociatave duhet ta marrin liderët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kjo do të jetë në rend të ditës në një samit që do të zhvillohet më 21 dhe 22 mars në Bruksel.

Në procesin e zgjerimit aktualisht ndodhen 10 vende.

Prej tyre, 9 kanë status kandidati dhe vetëm Kosova është vend i cili nuk e ka një status të tillë, edhe pse ka aplikuar për anëtarsim në bllok.

Turqia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina dhe Moldavia kanë edhe vendimin për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Status kandidati kanë edhe Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia, por deri tash nuk kanë vendim për nisjen e negociatave./REL

Shija e redaktorit

Haradinaj bën homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit: Ishte ndër...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti në Prishtinë në ditëlindjen...

BE dorëzon progres-raportin, Rama: Dokumenti më i mirë ndërkombëtar për...

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë se plani për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit...

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

Të fundit nga rubrika