Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është gjobitur me 65 mijë euro për përdorimin e njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.
Sipas njoftimit të ministrisë, kontrollet janë realizuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të inspektimeve që po zhvillohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë inspektimeve të fundit janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim pavarësisht skadimit të afatit të verifikimit metrologjik.
“Për këtë shkelje, operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.
Ministria bëri të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi.
Sipas MINTI-t, ky veprim është pjesë e përpjekjeve për forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe sigurimin e respektimit të standardeve ligjore në sektorin e matjes së energjisë elektrike.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë dëshmi ose dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë t’i raportojnë ato përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose në adresën elektronike [email protected].