KEDS-i bartë më shumë se 30 projekte të papërfunduara nga viti 2023, fajin “të tjerët”
Më shumë se 30 projekte të planifikuara dhe aprovuara për vitin 2023, por të papërfunduara, janë përfshirë në planin investiv të KEDS-it 2025-2029, të cilin e miratoi të premten Zyra e Rregullatorit për Energji. Për bartjen e projekteve që nuk arriti t’i përfundojë, KEDS-i fajin e shpërndau në tre pjesë, fillimisht te sigurimi i lejeve […]
Më shumë se 30 projekte të planifikuara dhe aprovuara për vitin 2023, por të papërfunduara, janë përfshirë në planin investiv të KEDS-it 2025-2029, të cilin e miratoi të premten Zyra e Rregullatorit për Energji.
Për bartjen e projekteve që nuk arriti t’i përfundojë, KEDS-i fajin e shpërndau në tre pjesë, fillimisht te sigurimi i lejeve nga komunat dhe Ministria e Infrastrukturës, pastaj te mungesa e fuqisë punëtore dhe në fund te problemet me konsumatorët.
Vetë KEDS, në arsyetimet brenda planit pesë vjeçar, pranon dështimin në përmbushjen e afateve.
“Ka pasur sfida që kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në aftësinë për të përmbushur premtimet për implementimin e projekteve sipas planeve dinamike të parapara. Edhe pse planifikimi është bërë në mënyrë të kujdesshme, prapë se prapë një numër faktorësh ka kontribuar në kohëzgjatjen e implementimit të këtyre projekteve”.
Numri më i madh i projekteve të papërfunduara, që ishin aprovuar për vitin 2023, janë në kryeqytet – më shumë se 20 sish. Në listë ka të tilla edhe në Skenderaj, Gjakovë dhe Malishevë.
Totali i investimeve të parapara nga KEDS për vitin 2023, në planin investiv të miratuar nga ZRRE-ja, ishte 29 milionë euro – ndërsa nuk dihet vlera e saktë e projekteve që janë përfunduar.
Ndërkaq, të pakryera janë edhe afër 10 investime të parapara për vitin 2024, në distriktet: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan e Prizren.















