Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se Njësia A4 e Termocentralit Kosova A është rikthyer me sukses në operim, pas përfundimit të punimeve të riparimit në sistemin gypor të kaldajës.
Sipas njoftimit të KEK-ut, startimi i njësisë është realizuar në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa procesi i sinkronizimit me sistemin energjetik është përfunduar me sukses rreth orës 09:00.
Nga KEK-u kanë bërë të ditur se rikthimi në operim është realizuar në përputhje të plotë me standardet teknike dhe të sigurisë, pas krijimit të kushteve të nevojshme teknike.
Korporata ka falënderuar punonjësit dhe ekipet profesionale të mirëmbajtjes mekanike dhe elektrike për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë procesit të sanimit dhe rikthimit të njësisë në punë.