KEK-u i reagon KEDS-it dhe KESCO-s: Po na fajësoni për përgjegjësitë e juaja
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka marrë me shqetësim lajmin për çështjet e adresuara nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), në lidhje me obligimet kontraktuale ndërmjet palëve dhe KEK-ut, duke thënë se po fajësohet për përgjegjësitë e tyre. Siç thuhet në reagimin e […]
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka marrë me shqetësim lajmin për çështjet e adresuara nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), në lidhje me obligimet kontraktuale ndërmjet palëve dhe KEK-ut, duke thënë se po fajësohet për përgjegjësitë e tyre.
Siç thuhet në reagimin e KEK-ut, marrëveshja për furnizim me shumicë krijon obligim kontraktual, përkatësisht të deklarojë vetëm njësitet gjeneruese që ka në dispozicion në baza ditore dhe atë një ditë para.
“Tutje, për hirë të korrektësisë dhe qartësimit të opinionit, KEK rithekson se bazuar në kushtet e licencave të gjenerimit, obligimi i KEK-ut mbetet vetëm prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa obligimi i KESCO është FURNIZIMI i konsumatorëve me energji elektrike. Andaj, konsiderojmë se adresimi i KESCO dhe KEDS përmes mjeteve të informimit përveç se nuk ka pasqyruar gjendjen reale, ka shkaktuar edhe huti në opinion”, thuhet në reagimin e KEK-ut.
KEK-u “në vazhdimësi dhe me përkushtim është duke bërë përpjekje për të përmbushur planin e prodhimit, të cilin e ka deklaruar paraprakisht edhe pse në përditshmëri hasim në vështirësi të shumta për shkak të vjetërsisë së njësive gjeneruese”.
“Në rrethana të tilla vazhdimisht i mbajmë të informuar palët përkatëse për çdo ndryshim që identifikohet gjatë operimit me njësitet gjeneruese. Kjo për arsye se është në interesin e KEK-ut që përveç kontributit në sigurinë e furnizimit me energji elektrike, gjithashtu edhe në sigurimin e të hyrave nga shitja e energjisë elektrike për të përmbushur buxhetin e planifikuar”, thuhet në reagim.
Ndryshe, gjatë ditës, KEDS dhe KESCO kanë deklaruar se po importojnë energji elektrike mbi 1 milion euro në ditë. Kjo pasi, sipas tyre, KEK-u nuk është duke prodhuar energji elektrike sipas planit.
Në komunikatën për media të KEDS-it dhe KESCO-s thuhet se gjatë këtyre ditëve, me ftohjen e temperaturave është rritur edhe konsumi i energjisë elektrike.
“Fatkeqësisht, paralel me këtë ka ndodhur edhe reduktimi i prodhimit vendor. Për ta mbuluar këtë gep, pra sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, KEDS dhe KESCO po detyrohen të blejnë energji elektrike në vlerë mbi 1 milion euro në ditë. Në aspektin sasior të dyja kompanitë bashkërisht po importojnë mbi 7500 megavat brenda 24 orëve ose deri në 400 megavat në orë”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas tyre, kjo po ndodh pasi kërkesa ka arritur në mbi 1100 megavat në orë, ndërsa prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavat në orë.
KEDS dhe KESCO kanë kërkuar edhe nga konsumatorët që ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike dhe aty ku kanë mundësi të mos e përdorin për ngrohje.















