Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se me rënien e temperaturave që nga 19 dhjetori ka rritur në maksimum angazhimin operacional.

Në njoftimin e KEK-ut thuhet se aktualisht janë duke operuar me pesë njësi gjeneruese, njofton Dukagjini.

“Si rezultat, prodhimi ditor po arrin në 20,640 MWh, duke forcuar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës në një periudhë me kërkesë të rritur”, thuhet në njoftimin e tyre për opinionin.

Mes tjerash, në njoftim thuhet se në kushte normale KEK-u operon me katër njësi gjeneruese, ndërsa një njësi mbahet si rezervë e nxehtë për nevoja teknike dhe mirëmbajtje periodike.

“Megjithatë, pavarësisht moshës së avancuar të stabilimenteve, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit teknik dhe përkushtimit të menaxhmentit, është bërë e mundur operimi me pesë njësi gjeneruese, me përjashtim të dy ndërhyrjeve të shkurtra teknike në një njësi”.

KEK thotë se mbetet e përkushtuar të mbajë në operim sa më shumë kapacitete prodhuese të jetë e mundur, brenda kufijve të sigurisë teknike dhe stabilitetit operacional, për të garantuar prodhim të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Në këtë kontekst, siguria energjetike kërkon angazhim të përbashkët, ndaj ftojmë qytetarët që energjia elektrike të përdoret dhe të kursehet në mënyrë sa më racionale, veçanërisht në këtë periudhë me konsum të rritur”, thuhet në njoftim.