KEK-u thirrje bizneseve ta zgjedhin për furnizim me rrymë – “Deri tani 15 marrëveshje”
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që ende nuk kanë siguruar furnizues të energjisë elektrike që të lidhin kontrata komerciale të drejtpërdrejta me këtë korporatë, në mënyrë që të sigurojnë “furnizim të qëndrueshëm dhe me çmime konkurruese”. Në njoftimin e lëshuar, KEK-u thekson se, sipas vendimit të Zyrës së […]
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që ende nuk kanë siguruar furnizues të energjisë elektrike që të lidhin kontrata komerciale të drejtpërdrejta me këtë korporatë, në mënyrë që të sigurojnë “furnizim të qëndrueshëm dhe me çmime konkurruese”.
Në njoftimin e lëshuar, KEK-u thekson se, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), është e licencuar për furnizim në treg të hapur dhe se deri tani ka nënshkruar me sukses 15 marrëveshje komerciale, përfshirë edhe me ndërmarrje publike strategjike.
““Furnizimi nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) është vetëm një zgjidhje e përkohshme, me periudhë 60-ditore dhe çmime më të larta nga tregu. Sipas udhëzimeve të ZRRE-së, konsumatorët që nuk zgjedhin furnizues kalojnë automatikisht te FMF për 60 ditë, ku çmimet janë më të larta se në tregun e lirë. Pas këtij afati, lidhja e kontratave me furnizues të rregullt është e detyrueshme. Marrëveshjet komerciale me KEK ofrojnë çmime konkurruese, furnizim të qëndrueshëm dhe transparencë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Pas kësaj periudhe, të gjithë konsumatorët që nuk kanë furnizues të rregullt janë të detyruar të lidhin kontratë, andaj KEK fton që ky hap të bëhet sa më parë për të shmangur pasigurinë dhe kostot e larta.
Korporata premton furnizim të qëndrueshëm, transparencë dhe çmime të bazuara në tregun zyrtar të energjisë – ALPEX.















