Keller-Sutter: Pa kosovarët, Zvicra sot nuk mund të paramendohet
Gjatë vizitës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Zvicër, presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter ka thënë se kjo është vizita e parë e një presidenti të Kosovës në këtë vend dhe një shenjë e rëndësishme e vlerësimit për diasporën kosovare. Ajo ka theksuar se sot Zvicra nuk mund të paramendohet pa kontribuimin e njerëzve me […]
Gjatë vizitës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Zvicër, presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter ka thënë se kjo është vizita e parë e një presidenti të Kosovës në këtë vend dhe një shenjë e rëndësishme e vlerësimit për diasporën kosovare.
Ajo ka theksuar se sot Zvicra nuk mund të paramendohet pa kontribuimin e njerëzve me prejardhje nga Kosova, të cilët janë midis 150 mijë dhe 250 mijë shqiptarë dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit gjatë dekadave të fundit.
“Sot, Zvicra nuk mund te paramendohet pa njerëz me prejardhje nga Kosova…Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e vendit tonë gjatë dekadave të fundit ”, ka theksuar ajo.
Në konferencë për media të përbashkët me Osmanin, Keller-Sutter ka shtuar se marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Kosovës kanë një histori të gjatë, që fillon që nga vitet ’60 me ardhjen e punëtorëve kosovarë.
Ajo gjithashtu ka përmendur mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, duke përfshirë marrëveshjen për tregti të lirë mes Kosovës dhe EFTA-s, të arritur në Davos në janar, e cila ofron një bazë të mirë për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve.
Presidentja Keller – Sutter ka deklaruar se Zvicra do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj.















