Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka folur për raportin ndemjet biznesit dhe politikës në Republikën e Kosovës, ku ka thënë se “sa ma larg që i ka duart politika nga biznesi, biznesi ec më mirë”.

Sipas Kelmendit, Qeveria Kurti II, nuk është duke i ndihmuar bizneset të cilat kanë nevojë për ndihmë.

“Bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me institucione ekonomike nuk ekziston fare. Prandaj, nga kjo del se Qeveria nuk po ka nevoje fare të informohet për kërkesat e bizneseve, por as që po informohet për qëllimet e bizneseve të reja”, ka thënë Kelmendi.

Më tej, ai ka thënë se bizneseve të mëdha i duhet vetëm legjislacioni ndërsa atyre të voglave edhe ndihma e shtetit.

“Unë nuk po kërkojë që të më subvencionohen punëtorët por, djali im kërkon që të mos ketë doganë për material, derisa ne paguajmë doganë për materiale, shtetet tjera i lirojnë. Te ne paguan akcizë ndërsa shtet tjera nuk e kanë akcizën”, ka theksuar ai.

Sipas tij, me këto politika fiskale nuk mund të zhvillohet prodhimi në Kosovë.

“Ne e kemi një gjenerat të re, të cilët sapo të përfundojnë studimet, ata nuk kanë mjete inventive, dhe pa mjete inventive nuk ka zhvillim”, ka shtuar Kelmendi.

Tutje ai ka thënë se të rinjtë nuk kanë nevojë për skema sociale por për garantimin e fondit për kredi, i cili sipas Kelmendit do të ndikonte në investime.