Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka mohuar kategorikisht pretendimet se ka qenë informator i UDB-së, duke thënë se nofka “Sialica” i ishte atribuar nga shërbimi jugosllav në kuadër të, siç e quan ai, një fushate dezinformimi.
Kelmendi ka folur për këtë çështje në Debat Plus të TV Dukagjinit, në kuadër të ciklit ekskluziv “Dosjet”.
I pyetur për pretendimin se ish-zyrtari i UDB-së, Zdravko Mustaç, e kishte përmendur si informator me pseudonimin “Sialica”, Kelmendi ka thënë se nuk beson se Mustaç e kishte përmendur ndonjëherë emrin e tij.
“Asnjëherë Zdravko Mustaq nuk duhet ta ketë përmendur emrin tim. Të paktën unë nuk e di”, ka deklaruar Kelmendi.
Sipas tij, pretendimi se ai kishte përdorur nofkën “Sialica” ishte sajuar nga UDB-ja në Pejë.
“Këtë ma ka thënë kryeUDBashi Mehmet Hasku, në prani të shumë vetave, kur kemi pasur një takim para rreth 15 viteve, në lokalin ‘Guri i Kuq’ në Kuqishtë të Rugovës”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka shpjeguar se nofka “Sialica” i përkiste Idriz Iberdemajt, të njohur si Daja Ramë, dhe se, sipas tij, ajo ishte përdorur më pas për ta lidhur atë me UDB-në.
Kelmendi flet për “dosjet” e vitit 2010
Kelmendi ka rrëfyer edhe për disa dokumente që ishin publikuar në Maqedoni në vitin 2010 dhe që, sipas tij, pretendohej se ishin dosje të shërbimeve jugosllave.
Ai ka thënë se fillimisht ishte tronditur kur kishte parë dokumentet, pasi i dukeshin si faksimile të materialeve origjinale.
Megjithatë, sipas Kelmendit, më pas ishte bindur se bëhej fjalë për falsifikime, pasi një dizajner nga Tetova i kishte vërejtur problemet me fontet e përdorura në dokumente.
Kelmendi ka thënë se më pas kishte kërkuar edhe verifikimin e pretendimeve nga Zdravko Mustaç.
Sipas tij, përgjigjja e Mustaçit ishte se nuk e kujtonte emrin e tij.
Kelmendi: “Isha i keq për titistat dhe agjenturat e tyre”
Gjatë intervistës, Panduri i është referuar edhe një dokumenti të vitit 1983, në të cilin Kelmendi përshkruhej si “njeri i keq” dhe ku shprehej dyshimi se organizata “Fronti i Kuq” ishte krijuar nga UDB-ja.
Kelmendi e ka kundërshtuar këtë përshkrim.
“Nuk po di cilës dosje po i referohesh. Sigurisht që isha i keq për titistat dhe agjenturat e tyre, por edhe për segmente të Sigurimit, të kapura nga agjenturat jugosllave e serbe”, ka deklaruar ai.
Kelmendi ka pranuar se në bashkëthemelimin e Frontit të Kuq Popullor kishte pasur një rol të rëndësishëm Xhevat Ramabaja, për të cilin ai pretendon se ishte “marionetë e UDB-së së Beogradit”.
Megjithatë, sipas tij, veprimtaria e organizatës ishte ndarë shpejt nga Ramabaja.
Ai ka thënë se dokumentet e tilla ishin pjesë e përpjekjeve për ta diskredituar organizimin politik shqiptar në emigracion.