Mbi 18 milionë euro dyshohet të ketë qenë vlera e faturave fiktive, përmes së cilave, Feim Pulaj, ka tentuar që të përfitoj kundërligjshëm rimbursim nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Këtë pretendim e ka ngritur Prokuroria Themelore e Prishtinës, me urdhër të së cilës Pulaj dhe 12 persona të tjerë përfunduan në pranga të martën.

Ata qëndruan për vetëm 48 orë në paraburgim, pasi Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë që të pandehurve t’u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në dosjen e prokurorisë, theksohet se Pulaj e arsyetoi këtë mashtrim kinse me ndërtimin e hotelit të tij, i cili ndodhet në Vërmicë të Prizrenit.

“I pandehuri Pulaj për të njëjtin hotel, ishte ri-mbursuar për TVSH-në e zbritshme qysh në vitin 2018-2019 përmes biznesit të tij “BluePlan AG” në shumën totale prej 445 mijë euro, çka me këtë i pandehuri do ta dëmton buxhetin e Kosovës në shumën prej 2.787.658 euro, sepse e dëmtuara, në këtë rsat ATK, ka pranuar nga Përmbaruesi Privat Urdhrin për ekzekutimin me detyrim të rimbursimit në favor të të pandehurit Pulaj në vlerë prej 2.787.658 me kamata prej 8%”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas dosjes, mashtrimin Pulaj e bëri bashkë me Besim e Bedri Batatinën, pronar të biznesit “Batatina BB SHPK”.

23 faturat fiktive, Pulaj i kishte blerë në biznesin Batatina.

Në gjithë këtë keqpërdorim, sipas dosjes së prokurorisë janë të përfshirë edhe 12 zyrtarë të ATK-së, disa të zyrës në Prizren, e disa të asaj në Prishtinë.

“Në bazë të raportit të datës 31.08.2020 ia kanë pranuar si të mirëqena biznesit “Blueplan AG”, duke ia njohur si shitje tek biznesi “Lakeside AG”, çka me këto veprime të pandehurit ia kanë mundësuar të pandehurit Feim Pulaj që përmes këtyre faturave fiktive t’i aprovohet kërkesa për rimburshim në vlerë prej 2.787.658 euro, edhe pse të njëjtit kanë qenë në dijeni se këto fatura ishin fiktive ngase kanë qenë të informuar zyrtarisht dhe paraprakisht”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në kërkesën për caktim të masës së paraburgimit, prokurori i rastit e ka theksuar rrezikun e arratisjes, mirëpo kjo nuk i është dukur gjykatës arsye e mjaftueshme për t’i mbajtur në paraburgim të pandehurit.

Gjykatësi Avni Syla mori vendim që të dyshuarave t’u shqiptohet një masë më e butë, ajo e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Gjatë bastisjeve, janë konfiskuar pesë armë, përderisa në kërkim vazhdojnë të jenë dy persona.