Kërcënime me bomba në disa shkolla në veri
Policia e Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit ka pranuar informacione nga personeli i disa shkollave për kërcënime me mjete shpërthyese (bomba) në disa objekte shkollore, të cilat gjenden kryesisht në zona të banuara me popullatë serbe. Bazuar në informacionet e deritanishme, këto kërcënime janë bërë në rajone të ndryshme në disa objekte shkollore […]
Policia e Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit ka pranuar informacione nga personeli i disa shkollave për kërcënime me mjete shpërthyese (bomba) në disa objekte shkollore, të cilat gjenden kryesisht në zona të banuara me popullatë serbe.
Bazuar në informacionet e deritanishme, këto kërcënime janë bërë në rajone të ndryshme në disa objekte shkollore (deri më tani në rreth 30 lokacione), e të cilat kërcënime janë pranuar përmes formës elektronike dhe linjave telefonike.
Lajmin për RTV Dukagjini e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Duke iu referuar informacioneve të pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtyre rasteve, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qen (K-9).
Policia e Kosovës, po ashtu, ka ndërmarrë veprime konkrete duke evakuuar personat në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në ruajtjen e rendit kushtetues, garantimin e sigurisë në nivel vendi si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.
Deri në këtë fazë, Policia e Kosovës ka arritur t’i trajtojë dhe t’i verifikojë disa nga objektet shkollore, në të cilat, kërcënimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme, andaj ka ftuar qytetarët që të mos krijojnë panikë, pasi Policia e Kosovës është prezente dhe e angazhuar në trajtimin, hetimin dhe ofrimin e sigurisë në të gjitha lokacionet në nivel vendi.















