Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka bërë një përmbledhje javore të veprimeve të Serbisë, të cilët e kërcënojnë Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në raport nuk janë të përfshirë dy incidentet e fundit sa i përket arrestimit të spiunëve të BIA-së në veri të Kosovës dhe Ferizaj, por për këto dhe tema të tjera ky Institut është duke përgatitur raporte të veçanta.

Ky raport fokusohet në gjashtë pika “Ushtria e Serbisë vazhdon mobilizimin ushtarak”, “Forcat ajrore vazhdojnë të pajisen me armatim”, “Vazhdon rekrutimi i “vullnetarëve” në ushtrinë serb”, “Hungaria armatos Serbinë”, “Republika Srpska pritet të mbajë referendum për pavarësi”, “Kuvendi i Madh Serb mbahet nesër” dhe “Vulin del hapur për qëllimet e Serbisë”.

Konkluzionet e këtij raporti javor janë se:

“Vizitat e vazhdueshme të Gashiçit nëpër kazerma, deklaratat e tij, ushtrimet, mobilizimet dhe rekrutimet e vazhdueshme në ushtrinë serbe në të gjitha nivelet. Bashkëpunimi në fushën e armatimit me Hungarinë, deklaratat e hapura të Vulinit dhe Dodikut dhe mbajtja e Kuvendit të madh serb janë faktor të qartë për qëllimet e hapura të përgatitjes për luftë të Serbisë.

Këto përgatitje nuk janë për qëllime mbrojtëse, por sulmuese dhe në momentin e dhënies së hapësirës në formë hibride apo ndryshimit të rrethanave gjeopolitike, ata do të kundërvihen. Këto forma të veprimeve të Serbisë kanë edhe qëllime politike dhe diplomatike: – Qëllimi politik i brendshëm që ta mbajë popullin gjithmonë të mobilizuar, në frikë dhe të gatshëm të bindet. – Në aspektin diplomatik të shkaktojë frikë te bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e rajonit që ta lejojnë Serbinë t’i arrijë synimet e saj më lehtë dhe të mos i imponojnë sanksione apo vendime për të cilat ajo nuk pajtohet”.