Kërcënimi i Trumpit me tarifa për Grenlandën është i papranueshëm, thonë udhëheqësit evropianë
Një kërcënim nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të vendosur tarifa të reja ndaj tetë aleatëve që kundërshtojnë planin e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës, ka shkaktuar reagime dhe dënime nga udhëheqësit evropianë. Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi këtë veprim si “plotësisht të gabuar”, ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti […]
Një kërcënim nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të vendosur tarifa të reja ndaj tetë aleatëve që kundërshtojnë planin e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës, ka shkaktuar reagime dhe dënime nga udhëheqësit evropianë.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi këtë veprim si “plotësisht të gabuar”, ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti atë “të papranueshëm”.
Reagimet erdhën pasi Trump njoftoi se një tarifë prej 10% mbi mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, por mund të rritet më vonë në 25% dhe do të mbetet në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje, shkruan BBC, transmeton Dukagjjini.
Trump këmbëngul se territori autonom danez është jetik për sigurinë e SHBA-së dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së tij me forcë.
Pas kërcënimeve të Trump, Bashkimi Evropian thirri një mbledhje emergjente në Bruksel nga ora 17:00 të dielën, në takim do të marrin pjesë ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Ndërkohë, mijëra persona dolën në rrugë në Grenlandë dhe Danimarkë të shtunën për të protestuar kundër propozimit amerikan për marrjen e territorit.
Grenlanda është pak e populluar, por e pasur me burime natyrore, dhe pozicioni i saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën strategjike për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast sulmesh me raketa, si dhe për monitorimin e anijeve në rajon.
Trump ka deklaruar më parë se Uashingtoni do ta marrë territorin “në mënyrën e lehtë” ose “në mënyrën e vështirë”.
Vendet evropiane janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës, duke argumentuar se siguria e rajonit të Arktikut duhet të jetë një përgjegjësi e përbashkët e NATO-s.
Franca, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dërguar një numër të vogël trupash në Grenlandë në kuadër të një misioni të ashtuquajtur zbulues.
Trump ka thënë se tarifa prej 10% mbi mallrat e eksportuara drejt SHBA-së do të rritet në 25% në qershor dhe do të mbetet “e pagueshme deri në momentin kur të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës”.















