Krahas kërkesës preventive lidhur me pasojat në rast të dështimit për konstituim të Kuvendit deri më 26 Korrik, presidentja Vjosa Osmani i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për afatin 30 ditor që ajo e caktoi me aktgjykimin e saj.

Kërkesa 27 faqëshe tashmë është në duart e gjyqtarëve që kanë për detyrë mbrojtjen e kushtetutshmërisë.

“Kërkesa e dorëzuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës më 22 korrik 2025 është duke u proceduar nga Gjykata”- GJYKATA KUSHTETUESE

Edhe pse tha se Gjykata Kushtetuese nuk trajton pyetje dhe situata hipotetike, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, tha se për shkak të rëndësisë së kërkesës, ajo mund të bëjë përjashtime.

“Gjykata Kushtetuese mund të kthejë përgjigje që të mos e pranojë këtë lëndë, por nuk përjashtohet edhe që ta pranojë një lëndë të tillë për faktin se tani jemi në një situatë politike e cila mund të prodhojë pasoja të pariparueshme për vendin”, ka thënë Naim Jakaj, Hulumtues i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Edhe pse vonë, Jakaj tha se presidentja ka të drejtë të kërkojë pezullimin, deri në sqarimin e pasojave të rrjedhjes së afatit që vetë Kushtetuesja ka caktuar.

“Në rregullat juridike, në pajtim me dispozitat kushtetuese, edhe me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, një masë e përkohshme do ta mbronte interesin publik. Sepse ky interes publik është që brenda tre ditësh të konstituohet Kuvendi, që nuk po mbrrin të konstituohet. Atëherë shkojmë me parandalim të rrjedhjes së këtij afati, në mënyrë që të rrimë brenda një afati të rregullt kushtetues”, ka thënë Naim Jakaj, Hulumtues i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Referuar vetëm kërkesës për pezullim të rrjedhjes së afatit 30 ditor, profesori Gëzim Qerimi tha se presidentja iu drejtua vonë Gjykatës dhe se në këtë rast ajo nuk veproi “si figurë mbipartiake që përfaqëson unitetin e popullit”.

“Jemi vetëm tri ditë para skadimit të afatit 30 ditor dhe vlerësoj, politikisht, një adresim i tillë, presidenten e bën pjesë të lojërave politike ditore. Dhe, tanimë edhe presidentja është pjesë e bllokadës institucionale në Kosovë. Pra vlerësoj që është i gabueshëm dhe që mund të ketë edhe kalkulime politike për interesa të saj, sepse mund të ketë ambicie për mandatin e dytë për presidente”, ka thënë Gëzim Qerimi, Profesor/Opinionist.

Presidentja kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë lidhur me kërkesën për masë të përkohshme pezullimi në kohë rekorde në mënyrë të mos konsumohet afati 30 ditësh.