Protesta “Jo në emrin tim” ka hyrë në natën e tetë në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku protestuesit kanë vazhduar të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje institucionale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka thënë se qytetarët janë mbledhur për tetë ditë radhazi në shesh në mbështetje të UÇK-së, duke kërkuar që institucionet të veprojnë lidhur me kërkesat e tyre.
“Vëllezër dhe motra! Sonte u bënë 8 ditë nga qëndrimi ynë bashkë në këtë shesh! Çdo ditë u bëmë bashkë për UÇK-në. Çdo natë populli erdhi në shesh, sepse UÇK-ja është e popullit dhe populli është i UÇK-së. Edhe sonte dua t’ju falënderoj për qëndresën, për besimin dhe për ngritjen e zërit kundër padrejtësisë. Populli i Kosovës nuk e duron padrejtësinë. Padrejtësia e Millosheviqit e lindi UÇK-në. E padrejtësia e Gjykatës Speciale e zgjoi popullin prapë. Më shumë se 26 vjet më parë, regjimi i Millosheviqit deshi ta shtypte popullin tonë. E ne u bëmë bashkë kundër shtypjes. E sot, kur po shtrembërohet historia jonë, po bëhemi bashkë kundër harresës dhe kundër shtrembërimit të së vërtetës”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se protesta, sipas tij, po dëshmon se mbështetja për UÇK-në vazhdon të jetë e pranishme.
“Dhe po e shohim tash e 8 ditë me radhë: E vërteta ka dalë në shesh! Sepse sot ne jemi këtu për atë histori. Sot ne jemi këtu për UÇK-në. Sot ne jemi këtu për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Calin e Pjetrin”, është shprehur ai.
Haziri ka folur edhe për familjet e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ata vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre.
“Por sonte dua të ndalemi vetëm për një çast. Pas pak, kjo protestë do të përfundojë. Ne do të nisemi për në shtëpitë tona. Do ta hapim derën e shtëpisë. Dikush do t’i përqafojë fëmijët. Dikush do ta gjejë nënën duke e pritur. Dikush do të ulet me gruan, me burrin, me familjen e tij. Dhe nesër në mëngjes do të zgjohemi të lirë. Por Hashimi sonte nuk kthehet në shtëpi. Kadriu sonte nuk kthehet në shtëpi. Rexha sonte nuk kthehet në shtëpi. Jakupi sonte nuk kthehet në shtëpi. Sonte, edhe një natë tjetër, ata do të jenë larg familjeve të tyre. Edhe një natë tjetër, fëmijët e tyre nuk do ta kenë babanë në shtëpi. Edhe një natë tjetër, nipërit e mbesat nuk do ta kenë gjyshin pranë. Edhe një natë tjetër UÇK-ja është prapa grilave”, ka deklaruar Haziri.
Sipas tij, qytetarët që marrin pjesë në protestë kanë përgjegjësi për të mos heshtur dhe për të vazhduar mbështetjen.
“E ne do të ecim të lirë nëpër Prishtinë. Do të kthehemi të lirë në shtëpitë tona. Dhe pikërisht për këtë, ne kemi përgjegjësi. Sepse liria nuk është vetëm e drejtë. Liria është edhe përgjegjësi. Përgjegjësi për të mos harruar! Përgjegjësi për të mos heshtur! Përgjegjësi për të mos i lënë vetëm!”, ka thënë ai.
Haziri u ka drejtuar një mesazh ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
“Dhe sonte dua që zëri ynë të shkojë prej këtij sheshi deri atje ku janë ata. Hashim! Kadri! Rexhë! Jakup! Ndoshta sonte nuk na dëgjoni. Por dijeni: Kosova nuk ju ka harruar! Populli juaj është këtu! Fëmijët tuaj nuk janë vetëm! Familjet tuaja nuk janë vetëm! Dhe përderisa ne jemi të lirë të ngremë zërin tonë, do ta ngremë!”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka thënë se protesta po vazhdon pavarësisht pritjeve se do të përfundonte pas disa netësh.
“Vëllezër dhe motra, dikush ka menduar se do të dilnim një natë. Dikush ka menduar se pas dy-tri netësh do të lodheshim. Dikush ka pritur që ky shesh të zbrazej. Por le ta shohin këtë shesh sonte! Jemi ende këtu! Jemi ende këtu sepse kërkesat tona ende nuk kanë marrë përgjigje”, ka thënë ai.
Haziri ka përmendur edhe kërkesën për trajtimin dhe votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetjen financiare për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet dhe votohet sa më shpejt. Mbështetja me fonde për mbrojtjen e çlirimtarëve është kërkesë e jona. Dhe ne nuk do të presim gjatë. Ora jonë e pritjes ka filluar të harxhohet. Mosveprimi i institucioneve nuk mund të zgjasë pafund. Sepse ne nuk e durojmë padrejtësinë. Populli nuk e duron heshtjen. Pritjes sonë po i vjen fundi. Durimi ynë po përfundon”, është shprehur ai.
Nga sheshi, ai u ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë.
“Veproni sa më shpejt! Mos e ngatërroni qetësinë tonë të deritanishme me dobësi! Mos mendoni se do të heshtim përballë mosveprimit. Kërkesat tona janë të qarta. Koha po ecën. Dhe bashkë me të po ecën edhe durimi ynë”, ka thënë Haziri.
Ai ka deklaruar se protesta do të vazhdojë në mbështetje të familjeve të ish-krerëve të UÇK-së.
“Vëllezër e motra, ne nuk do të ndalemi. Jemi bashkë për UÇK-në. Jemi bashkë me Endritin, Klestorin, Altinin, Aresin. Jemi bashkë me Bunën e Skifterin. Sepse populli nuk i lë vetëm bijtë e tyre. Sepse kur një baba është pas grilave, mungesa e tij nuk mbetet pas atyre grilave. Ajo hyn në shtëpi. Ulet në tavolinën e familjes. Ndihet në çdo festë. Në çdo ditëlindje. Në çdo përqafim që mungon. Dhe sonte dua që familjet e tyre ta dinë: Nuk jeni vetëm! Dhimbjen tuaj nuk mund ta marrim mbi vete. Por zërin tonë mund t’jua japim. Dhe këtë zë do t’jua japim çdo natë që duhet!”, ka deklaruar ai.
Haziri ka thënë se në protestë janë bashkuar qytetarë nga profesione dhe kategori të ndryshme.
“Jemi bashkë me mjekët, me profesorët, me fermerët, me nxënësit, me studentët, me sportistët, me artistët e me gazetarët. Jemi bashkë me nënat e baballarët. Jemi bashkë me veteranët dhe invalidët e luftës. Jemi bashkë me kujtimin e dëshmorëve dhe heronjve të këtij vendi. Sonte jemi bashkë sepse UÇK-ja na bashkon! E nesër duhet të jemi më shumë! Pasnesër edhe më shumë! Derisa kërkesat tona të marrin përgjigje!”, ka thënë ai.
Haziri ka përsëritur sloganin e protestës.
“Dhe sa herë që dikush mendon se do të heshtim përballë asaj që ne e konsiderojmë padrejtësi, ne do t’i themi: Jo në emrin tim! Jo në emrin tim! Jo në emrin tim! Populli i Kosovës nuk harron! Jemi bashkë për UÇK-në!”, ka shtuar Haziri.
Në protestë foli edhe studentja Alma Ramaj, e cila tha se populli nuk hesht.
“Përse, nëse unë sot mund të flas lirshëm shqip, mund të eci e lirë nëpër Prishtinë e mund të ëndërroj e të jetoj në Kosovën e lirë,
është sepse një gjeneratë para meje mori guximin të luftojë kur liria dukej veç një ëndërr. E sot, sot disa prej tyre që na solllën lirinë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa e të tjerë shokë nuk janë në Kosovë. Ata janë në Hagë dhe po mbahen padrejtësisht! Dhe ne jemi këtu për të mos heshtur! Jemi këtu jo për të pasur harruar!
Kemi ardhur t’i tregojmë botës mbarë se ata e kanë veç një emër: emrin Çlirimtarë!”, tha ajo.
Në protestën e natës së tetë ka folur edhe aktivisti Arianit Elshani, i cili ka thënë se qytetarët janë mbledhur sërish në shesh për të kërkuar drejtësi.
“Sonte jemi mbledhë prapë këtu për natën e 8-të rresht. Këtu në Sheshin e Demonstratave të 68-tës, Sheshin e Demonstratave të 81-tës, Sheshin e Lirisë, Sheshin e çlirimit, Sheshin e Pavarësisë, në Sheshin për të kërku drejtësi.”, ka deklaruar Elshani.
Ai ka renditur një sërë rastesh të krimeve dhe masakrave gjatë luftës në Kosovë, për të cilat ka kërkuar drejtësi.
“Drejtësi për Prekazin, drejtësi për Reçakun, drejtësi për Krushën, drejtësi për Mejën, drejtësi për Izbicën, drejtësi për Rezallën, drejtësi për Dubravën. Drejtësi për së paku 400 masakra, drejtësi për të paktën 20 mijë gra të dhunuara. Drejtësi për 11 mijë civilë të vrarë, drejtësi për së paku 1200 fëmijë të vrarë”, ka thënë Elshani.
Elshani ka kërkuar drejtësi edhe për ish-krerët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
“E kërkojmë prapë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën e Pjetër Shalën. Drejtësi, drejtësi, drejtësi”, ka deklaruar ai./EO