Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit për sulmin në Banjskë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur sot seanca gjyqësore për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku janë të akuzuar Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Të tre të akuzuarit janë paraqitur para trupit gjykues dhe do të dëgjojnë akuzat që rëndojnë ndaj tyre për terrorizëm dhe pjesëmarrje në grupin terrorist më 24 shtator të vitit 2023 që sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. 

Avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë nga sulmi, Arianit Koci, ka kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Edhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor tre akuzuarit Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u deklaruan të pafajshëm.

Prokurori: Grupi i sulmit në Banjskë ka lidhje të qarta me strukturat e Serbisë

Gjatë deklarimit të tij hyrës, prokurori Naim Abazi theksoi se “rendi kushtetues i Kosovës u vu rrezik nga një grup i mirëorganizuar, i armatosur dhe me lidhje të qarta me struktura të shtetit të Serbisë, i cili kreu njërin nga sulmet më të rënda në Banjskë”.

Ai theksoi se sulmi ishte planifikuar gjatë, me armatim të rëndë dhe me një synim të qartë destabilizues – cenimin e integritetit territorial dhe krijimin e kushteve për shkëputjen e komunave veriore të Kosovës.

Pasojat e këtij sulmi, sipas prokurorit, përfshijnë vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, plagosjen e disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dëmtimin e pasurisë së qytetarëve dhe të imazhit të Republikës së Kosovës.

“Polici Afrim Bunjaku është dëshmi e gjallë e sakrificës për mbrojtjen e territorit tonë”, ka deklaruar Abazi.

Prokurori njoftoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të paraqiten prova materiale, personale dhe ekspertiza profesionale që, sipas tij, “pa dyshim e faktojnë fajësinë e të akuzuarve”.

Ndër provat më të rëndësishme, ai përmendi edhe video dhe incizime të takimit të datës 13 tetor 2021, të mbajtur në Rashkë të Serbisë, ku sipas tij, “janë hedhur fillet e para të organizimit dhe kërkimit të përkrahjes për kryerjen e veprave penale që akuzohen të akuzuarit”.

Prokuroria ka shfaqur këto video si prova nga dronët e konfiskuar nga grupi që sulmoi Banjskën.

Lëshohet letër-rreshtim ndërkombëtar për 42 të akuzuarit tjerë

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj 42 të pandehurve të tjerë.

Letër-rreshtimi është lëshuar me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarve në procedurë, pasi shumica prej tyre, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin – i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit – ndodhen në arrati.

Këta persona janë të akuzuar për vepra të rënda penale, përfshirë terrorizëm dhe financim të terrorizmit, ndërsa autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë bërë të ditur se tani pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për t’u përballur me drejtësinë.

Në seancën e sotme, krahas prokurorit të rastit, i pranishëm ishte edhe një hetues nga Departamenti i Antiterrorizmit. 

Megjithatë, pas kërkesës së avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, trupi gjykues ka marrë aktvendim që hetuesi të largohet nga salla e gjykimit, me arsyetimin se në këtë fazë të procedurës ai nuk mund të jetë i pranishëm.

Në këtë proces, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte theksuar rëndësinë e nisjes së gjykimit edhe ndaj të pandehurve që ndodhen në arrati, përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit. 

Megjithatë, kjo çështje vazhdon të mbetet pezull, pasi ende nuk është marrë vendim nga gjykatësi, i cili kërkoi mendim juridik nga Gjykata Supreme lidhur me mundësinë ligjore për gjykimin në mungesë.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit po ashtu ishin deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza kundër 45 personave ishte ngritur në shtator të vitit 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati.

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika