Kërkohet me urgjencë formimi i Bordit të KPMM-së

Mosemërimi i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) tash e sa muaj, ka bërë që mbi 200 kompani të industrisë minerale e të sektorit të materialeve të ndërtimit të mbesin pa leje për të operuar.

Nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës kanë bërë të ditur se shumë kompani kanë ndërprerë punën e tyre, shkaku i mungesës së këtij bordi, ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), konsiderojnë se shumë kompani janë buzë falimentimit.

E në anën tjetër, mazhoranca thekson së emrat e të propozuarve nga ana e qeverisë shumë shpejt do të vijnë në Kuvend për votim.

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, ka thënë se janë mbi 200 kompani që janë duke pritur pothuajse qe një vit që të pajisen me licenca për të operuar, e që në mungesë të Bordit të KPMM-së atyre ju është pamundësuar puna.

FOTO:EO

“Lidha e Bizneseve të Kosovës ka kërkuar ka kërkuar dhe ka ngritur shqetësim të vazhdueshëm edhe tani se fundi në lidhje me mos formimin e institucioneve të disa ndërmarrjeve publike. Është Bordi i Minierave dhe Mineraleve i cili nuk është formuar që një vit dhe si rezultat i mos formimit të atij Bordi shumë kompani janë detyruar ta ndërprenë pothuajse punë e cila nuk i lejon pa pajisje me licenca adekuate të cila në mungesë të këtij Bordi nuk mund të funksionojnë kompanitë. Ato janë mbi 200 kompani të cilat janë duke pritur pothuajse që një vutë dhe fushëveprimi i tyre është i pa mundur për shkak të mungesë së legjislacionit edhe pajisjeve me licenca”, ka thënë Dreshaj.

Dreshaj ka kërkuar që sa më shpejt të bëhet emërimi i këtij Bordi, duke shtuar se sektori privat duhet që të jetë prioritet për qeverinë.

“Kemi vërejtje jashtë zakonisht shumë nga ana e bizneseve të cilat kanë bërë kërkesa të vazhdueshëm në Ministrinë e Ambientit dhe për fat të keq Ministria e Ambientit, lejet e punës është duke i vonuar sidomos në fushën e ndërtimit dhe në fushën e pajisjes së kompanive të ndërtimit të zhavorrit, të minierave dhe mineraleve. Çdo ditë e humbur për bizneset është humbje e madhe, është humbje jashtëzakonisht edhe për ekonominë, por edhe për vendet e punës. Qeveri duhet ta ketë prioritet kryesor sektorin privat sepse sektori privat është ai i cili e mbush arkën e shtetit dhe shteti duhet ta ketë prioritet atë që ja mbushë arkën”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se Bordin që ishte emëruar dhe shkarkuar pastaj nga vetë qeveria, ka shkaktuar dëme të mëdha në industrinë minerale, nxjerrëse, përpunuese të cilët, sipas tij, kanë mbetur pa leje operimi.

“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim edhe në nivel parlamentar dhe tani më kemi rreth 250 kompani presin përgjigje nga Bordi i cili parimisht tash e një vit nuk është funksional. Bord i cili është zgjedhur dhe është shkarkuar nga mazhoranca, nga qeveri Kurti. I cili ka sjell rezultat të madh dëme të mëdha në kuptimin e industrisë minerale, nxjerrëse, përpunuese të cilët kanë mbetur pa funksionalizim, pa patenta, pa leje operimi. Dhe seriozisht është dëmtuar shumë sektori i minierave në veçanti, sektori i materialeve të ndërtimit”, ka thënë ai.

FOTO:EO

Shala i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi Industri dhe Tregti, është shprehur se janë qindra kompani që janë buzë falimentimit.

“Numri i kompanive të cilat janë buzë falimentimit është qindra, sepse nuk mund ti mbajnë punëtoret pa operuar, nuk mund ti mbajnë teknologjitë dhe pajisjet. Nuk mund ti mbajnë licencat dhe veprimet tjera teknologjike, inxhinjerike të cilat nuk janë funksionale. Pra një kompani me qindra punëtorë ka ndërpre punën, i mbanë punëtoret, kontratë  e tyre, kur i shtojmë kësaj edhe situatën e rëndë të fuqisë punëtore që po na ikin jashtë, qindra kompani pritet nëse vazhdon ky avaz pritet që të falimentojnë”, ka thënë ai.

Deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se qeveria konform ligjit për miniera dhe minerale ka zhvilluar procedurat e rekrutimit dhe se shumë shpejt pritet që në Kuvend të vijnë emrat për emërim të këtij Bordi.

“Unë nuk e di saktësisht sa aplikacione janë duke qëndruar. Por e di një gjë që qeveria konform ligjit për miniera dhe minerale, qeveria është duke zhvilluar procedurën e rekrutimit dhe pastaj sa unë e di janë në proces tash dhe emrat pritet së shpejti të vijnë në Kuvend. Sepse është procedurë e dyfishtë, qeveria e bënë propozimin Kuvendi pastaj i voton ose nuk i voton ata. Kjo është procedura dhe unë pres që së shpejti ata të vijnë në Kuvend”, ka thënë ai.

Muja i cili po ashtu është edhe kryetar i Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka thënë se si mazhorancë vitin e kaluar e patën shkarkuar Bordin e KPMM-së si shkak i shkeljeve që kanë bërë.

FOTO:EO

Sipas tij, janë qindra operatorë ekonomikë, gurthyes të cilët janë proceduar në gjykatë ndaj të cilëve janë bërë kallëzime penale për shkatërrim të ambientit.

“Por çka unë po ashtu dua që të ju informoj është që një arsye pse është shkarkuar Bordi paraprake është sepse grupe të caktuara të interesit në emër të këtyre aplikacioneve shpesh herë bëjnë presion jo vetëm për të trajtuar ato por edhe për të marr një vendim pozitiv. Edhe kjo ka qenë një arsye pse e kemi shkarkuar Bordin paraprakë, sepse ka bërë shkelje të rënda të ligjit për miniera dhe minerale. Në anën tjetër po ashtu kemi edhe qindra operatore ekonomikë, gurthyes të cilët janë proceduar në gjykatë ndaj të cilëve ju ka bërë kallëzime penale për shkatërrim të ambientit. Duhet ti baraspeshojmë këto interesa ne natyrisht se do të procedojmë sipas ligjit. Diku që na ka dërguar KPMM-ja 126 operator ekonomik të cilët janë proceduar në Gjykatë për shkak të dëmeve që ja kanë bërë mjedisit”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës të premten përmes një mbledhje elektronike, ka miratuar listën e kandidatëve të propozuar për tre anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Sipas njoftimit të qeverisë të propozuarit janë: Habib Basholli, Nasuf Mjekiqi, Bahri Karaça, Avdi Mjeku, Hasan Preteni dhe Kaltrinë Demiri.

Pas propozimit të qeverisë, tani i mbetet Kuvendit të Kosovës që ti shqyrtojë emrat nga kjo listë dhe të votoj për emërimin e tyre për Bord të KPMM-së./EO

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika