Komuna e Pejës ka kërkuar ndihmën e nivelit qendror në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) për të shuar zjarrin në shtegun e Liqenatit në Bjeshkët e Nemuna.

Drejtori i Emergjencave në Komunën e Pejës, ka konfirmuar për Radio Dukagjinin se kanë kërkuar ndihmë nga KFOR-i për shuarjen e zjarreve.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj, tha se vatra e zjarrit është tre kilometra larg nga aty ku mund të depërtojnë kamionët, prandaj zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur që të intervenojnë. Prandaj, Zekaj tha se kanë kërkuar ndihmë nga niveli qendror.

Për këtë zjarr ka njoftuar sot më 02.08.2024  Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, i cili ka bërë thirrje që të evitohet ecja në atë zonë.