Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale V.A., lidhur me rastin e vrasjes së 21-vjeçares në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj dhe plagosjen e vëllaut të saj 15-vjeçar. “Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton […]
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale V.A., lidhur me rastin e vrasjes së 21-vjeçares në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj dhe plagosjen e vëllaut të saj 15-vjeçar.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale V.A., lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, “i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Po ashtu, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit ZORAKI M 2906-T, me një karikator të zbrazur, e cila më 12 prill 2024, i’u është konfiskuar nga policia, me çka kreu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari V.A është dërguar dje në mbajtje për 48 orë. Këtë e ka konfirmuar për zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
36-vjeçari V.A, është ish-bashkëshorti i viktimës, i cili u arrestua nga policia pasi fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur, pas ngjarjes.
Pas vrasjes së 21-vjeçares, është thirrur protestë nga aktivistë dhe anëtarë të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.
Ata kanë njoftuar se protesta do të mbahet më 15.04.2024, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:30.
Në thirrjen e tyre për protestë nga Kolektivi e kanë konsideruar vrasjen e 21-vjeçares si vrasje që ka ndodhur “në sytë e shtetit”, e që sipas tyre, vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta.
Për shkak të kësaj gjendje, ata konsiderojnë se të gjithë duhet të ngriten në këmbë kudo, për të kërkuar nga “shteti që ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare”.
“Ky rast i femicidit është duke treguar që vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta. Ato dhunohen e vriten në shtëpi, në strehat e shtetit, në rrugë e në spitale, pa mbrojtje e pa siguri nga shteti. Femicidi dhe lufta që iu është shpallur grave duhet të na revoltojë të gjitha/ë dhe të na ngrisë në këmbë shesheve dhe rrugëve në Prishtinë e kudo për të kërkuar që shteti me të gjitha strukturat e saj t’iu dalë në krah vajzave dhe grave dhe ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare” – kanë shkruar në thirrjen e protestës nga Kolektivi.
Më tej, Kolektivi ka vlerësuar se teksa vajzat dhe gratë janë duke luftuar me këtë sistem me jetën e trupat e tyre, të cilin e kanë quajtur “vdekatar”, ata nuk mund të qëndrojnë të qetë e të vazhdojnë jetën me ritme normale.
“Ne duhet të dalim nga shtëpitë, zyret, punishtet, klasët e mësimit e kafenetë dhe ta denoncojmë e sfidojmë rendin patriarkal që po ushqen dhunë të përditshme ndaj vajzave dhe grave dhe femicid. Ne thërrasim në revoltë dhe demonstratë gjithëpopullore, këtë të hënë në sheshin “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 17:30. Të hënën e çdo ditë tjetër luftojmë për sigurinë tonë dhe të çdo vajze dhe gruaje në Kosovë. Luftojmë që asnjë grua të mos frikësohet, dhunohet a vritet” – kanë theksuar nga Kolektivi.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur në lidhje me vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e një 15-vjeçari në Ferizaj.
Edhe sipas Aliut, viktima dhe dorasi po merrnin shërbime në QPS.
“Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish bashkëshorti i saj derisa dorasi ka plagosur edhe vëllain e viktimës. Viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni” – ka shkruar Aliu, në profilin e tij në Facebook dje.
Lidhur me arrestimin e të dyshuarit nga Policia, Aliu ka përgëzuar Policinë e vendit dhe pret që institucionet e drejtësisë t’i japin dënimin e merituar të dyshuarit.
E tronditur me këtë rast është shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.
Ndërkaq e para e vendit, Vjosa Osmani teksa i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës ka kërkuar dënim maksimal për të dyshuarin.
Ajo është shprehur e shqetësuar me “dënimet qesharake” që sipas saj po sjellin raste të tilla.
“Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë”.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e dënon ashpër këtë krim që po përsëritet.
“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje” – ka shkruar kryeministri Kurti, në profilin e tij në Facebook.















