Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimi ne masës së paraburgimit ndaj A.H., nën dyshimin se në cilësinë e analistit kreditor në një institucion mikro-financiar në Prizren, ka përvetësuar mbi 150 mijë euro kundërligjshëm.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se të hënën, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është arrestuar i dyshuari, i cili ishte i arratisur nga Kosova që nga viti 2021, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Aty thuhet se ndaj tij kishte urdhërarrest dhe letërreshtim (vendor e ndërkombëtar). A.H., u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “Mashtrimi”.
“Sipas kërkesës i pandehuri, A.H., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete dhe që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e analistit kreditor në njërin prej institucioneve Mikro-Financiare në Prizren, në vazhdimësi prej periudhës kohore 06.10.2016 e deri me datë 11.12.2019, duke rregulluar dokumentacionin për aplikim për kredi të dyzet (40) personave/të dëmtuarve, të njëjtëve paraprakisht ua keqpërdor të dhënat personale dhe kundërligjshëm ua përvetëson të hollat, të cilat i kishin marrë përmes kredive, i cili në total, kundërligjshëm dyshohet se ka përvetësuar shumën e të hollave prej 150,660.61€ (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar të dëmtuarve dëme të konsiderueshme pasurore”, thuhet në njoftim.
Më këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Po ashtu, A.H., si person zyrtar, në dokumentin zyrtar shënon të dhëna të rreme, në atë mënyrë që me datë 25.01.2019, në ambientet e institucionit Mikro-Financiar në Prizren, përpilon kontratën për kredi, për shfrytëzuesen e kredisë – të dëmtuarën, pa qenë ajo fare prezente dhe në rubrikën ku figuron nënshkrimi i huamarrëses – në vend të saj shënon me dorën e tij emrin e të dëmtuarës, dhe në vend të bashkëhuamarrëses – të dëmtuarës, po ashtu me dorën e tij e shënon emrin dhe mbiemrin e saj”, njofton Prokuroria.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
“Gjithashtu, A.H., me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe duke i shkaktuar dëm financiar personave tjerë, i mashtron të njëjtit duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që në vend dhe periudhë të njejtë kohore të përshkruar si më lart, dyshohet se ka arritur të përfitojë shumën e të hollave prej 150,660.61 € (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme pasurore”, njofton tutje Prokuroria.
Në këtë mënyrë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”. /Betimi per drejtesi