Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj dy të dyshuarve, B.SH., dhe M.Q.

Kërkesa i është dorëzuar Gjykatës së Prishtinës sot më 06.06.2023 dhe jo më larg se ditën e nesërme, më 07.06.2024, do të mbahet seanca dëgjimore dhe do të vendoset lidhur me kërkesën e prokurorisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale thuhet se paraqitja e kërkesës për caktimin e paraburgimit për dy të dyshuuarit është se ekziston dyshimi se të njëjtit kanë kryer veprën penale “spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se kundër të pandehurve: B.Sh. dhe M.Q. sot i ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit, Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasiqë ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale: Spiunazhi nga neni 124 par. 3 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale: Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftim..

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në kanë arrestuar të mërkurën dy persona në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh.

Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani u arrestuan nën dyshimin se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.

Ndërsa, Policia e Kosovës përmes raportit të përditshëm ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e dy të dyshuarve për spiunazh në Ferizaj.

Në raport thuhet se në dy lokacionet e të dyshuarve janë konfiskuar edhe armë, municione e gazmaska ushtarake.

“Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

Ndryshe, dje shtetasit kosovarë me inicialet, M.Q dhe B.SH u arrestuan nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA) pas një hetimi disamujor nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Edhe Dogana e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të dy personave në Ferizaj, nën dyshimin për veprën penale “spiunazhi”.

Në një deklaratë për media, Dogana e Kosovës ka sqaruar se njëri nga të arrestuarit, i identifikuar me inicialet B.Sh., kishte qenë i punësuar në këtë institucion, por ishte pushuar nga puna 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.

Sipas Doganës së Kosovës, shkarkimi i B.Sh. kishte ardhur si rezultat i shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës, të cilat kishin të bënin me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.

Arrestimi i dy të dyshuarve për spiunazh, në shtëpitë e tyre konfiskohen armë e gazmaska ushtarake