Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, i cili është kapur me 107 kilogramë marihuanë të dielën.

Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, i cili ka qenë nën masën e ndalimit prej 48-orësh, për rastin e 107 kg marihuanë”, ka thënë Ulaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në mbrëmjen e së dielës së 29 janarit, ka arrestuar një person, shtetas i Serbisë, të cilit ia ka sekuestruar 107 kilogramë substancë narkotike.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka thënë se ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa janë duke vazhduar veprimet hetimore.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më datë 29.01.2023, në orën 22:40, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor,  ka ndaluar një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja, të cilin e drejtonte i dyshuari M.P., (1991), shtetas i Serbisë, nën dyshimin për substancë narkotike”, thuhet në njoftim.

Në bashkëpunim me oficerët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrollimit, në dy rezervuarët e derivateve janë gjetur bunkerë të modifikuar, ku në brendi kishte 101 paketime të plastikës me të substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.

“Nga Njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë”.

Po ashtu, në cilësi të provave, sipas policisë, thuhet se janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë.

“Në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, kurse rasti procedohet për veprime të mëtutjeshme, përderisa vazhdojnë veprimet hetimore nga drejtoria përkatëse”, vijon njoftimi.

Policia arreston një person në Prishtinë, sekuestron mbi 100 kg substancë narkotike