Organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të pezullojë proceset e përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe Komisionit të Pavarur për Media (KPM), duke i cilësuar ato si të komprometuara dhe në kundërshtim me parimet themelore të transparencës dhe profesionalizmit.
Në një reagim të përbashkët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe aktivistja Flutura Kusari kanë theksuar se komisionet ad hoc duhet të vazhdojnë punën vetëm pasi të garantohet një proces i drejtë, meritokratik dhe transparent.
“Ne, të poshtëshënuarit, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që të pezullojë punën e komisioneve ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Media, për shkak të shkeljes së parimeve themelore të transparencës, integritetit, profesionalizmit dhe ligjshmërisë. Komisionet duhet të vazhdojnë punën vetëm pasi të sigurohet zbatimi i standardeve që mundëson procese të drejta, profesionale, meritore dhe transparente. Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të RTK-së, në mbledhjet përgatitore të mbajtura deri më tani, ka shkelur këto parime në mënyrë të përsëritur.
Fillimisht, procesi është shënuar me mungesë të theksuar transparence. Komisioni ad hoc ka larguar kamerat pikërisht në momentin kur është diskutuar metodologjia dhe është bërë kontrollimi i dosjeve të kandidatëve, duke kufizuar qasjen e publikut në informacione me interes të lartë publik. Në këtë takim nuk janë diskutuar të dhëna personale, por vetëm aspekte teknike të dosjeve, përkatësisht nëse kandidatët kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë. Rrjedhimisht, nuk ka pasur asnjë arsye për mbylljen e mbledhjes për media.
Gjatë zhvillimit të mbledhjes pa praninë e kamerave, komisioni Ad Hoc për RTK-në ka përdorur standarde të shumëfishta në shqyrtimin e aplikacioneve. Fillimisht, është vendosur që kandidatët që nuk kanë dorëzuar të gjitha dokumentet të eliminohen, sepse atyre u ishte dhënë një mundësi e dytë për plotësim të dokumentacionit. Më pas, gjatë shqyrtimit të kandidatëve të caktuar, është konstatuar se disa prej tyre nuk kishin dorëzuar as dokumente bazike si CV-ja, pavarësisht kësaj mundësie të dytë. Në këto raste, komisioni ka ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim, duke u ofruar atyre mundësi shtesë për plotësim. Ndërkohë, përderisa disa kandidatë janë favorizuar në mënyrë të hapur, të paktën një kandidat është përjashtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Sa i përket procesit të intervistimit, praktika e deritanishme ka qenë që deputetët t’i përgatisin vetë pyetjet dhe të njëjtat pyetje t’u parashtrohen të gjithë kandidatëve, në mënyrë që të sigurohet trajtim i barabartë. Në këtë rast, megjithatë, është kërkuar që njësia mbështetëse e komisionit të përpilojë disa pyetje, nga të cilat secili deputet të përzgjedhë vetëm tri, duke krijuar hapësirë për trajtim të pabarabartë dhe mungesë standardizimi në vlerësim. Kjo metodologji pastaj ka ndryshuar pak minuta para nisjes së intervistimit të kandidatëve.
Për më tepër, komisioni ka paraparë vetëm dy ditë për intervistimin e 75 kandidatëve, respektivisht rreth 37 kandidatëve në ditë, duke u ndarë secilit vetëm 15 minuta. Kjo kohë është e pamjaftueshme për të paraqitur vizionin për rolin si anëtar i ardhshëm i bordit të RTK-së dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë cilësore pyetjeve të deputetëve.
Procesi është dëmtuar edhe më tej nga fakti se kandidatët janë njoftuar më pak se 12 orë para intervistës, duke kufizuar ndjeshëm mundësinë për përgatitje adekuate. Po ashtu, deputetëve u janë shpërndarë dosjet e aplikimeve të premten, ndërsa nga e premtja deri të martën, më 14 prill, ata kanë qenë në pushim, pa pasur mundësi reale për t’i shqyrtuar ato. Kjo ka ndikuar që gjatë përgatitjes së procesit të intervisimit, deputetët e opozitës të largohen nga mbledhjet e komisioneve përkatëse
Sa i përket procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, gjendja është edhe më shqetësuese. Komisioni ad hoc ka dështuar të mblidhet për shkak të mungesës së kuorumit, ndërkohë që disa deputetë nuk i kanë pranuar dosjet e aplikimit as deri në orën 18:00 të datës 14 prill.
Ne konsiderojmë se nxitimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të përfunduar me çdo kusht përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të RTK-së dhe KPM-së, pa u dhënë kohë të mjaftueshme deputetëve dhe kandidatëve për përgatitje, me metodologji të paqartë dhe afate të papërshtatshme, si dhe me përjashtimin e kamerave, dërgon sinjal të qartë për rrezikun e kapjes politike të këtyre institucioneve.
Prandaj, i bëjmë thirrje partisë në pushtet që të pezullojë këto procese dhe të sigurojë që procedurat e tilla të zhvillohen në kohë të arsyeshme, me transparencë të plotë, me standarde të njëjta për të gjithë kandidatët dhe pa asnjë formë favorizimi. Vetëm një proces i drejtë dhe i besueshëm mund të garantojë institucione të pavarura në shërbim të interesit publik”, thuhet në njoftim.