Ministria e Drejtësisë, sërish ka mbledhur grupin ndërministror për vrasjen e Hamide Magashit.

Ky takim u zhvillua pa praninë e mediave, derisa as edhe një detaj nuk u dha për atë se çfarë konkretisht u diskutua brenda. E shkurtër në përgjigje ishte edhe ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha.

E pyetur nëse do të ketë shkarkime pas raporteve inspektuese, ajo tha se do presin të tjera raporte.

“Jemi në pritje të çdo raporti inspektoratit dhe hetuesisë. Për çdo informatë do të merrni nga ministrja e Drejtësisë”, ka theksuar Dafina Gexha – U.d e ministres së Shëndetësisë.

Derisa, në një komunikatë për media Ministria e Drejtësisë, ka thënë se në këtë takim janë diskutuar raportet e inspektoratit shëndetësor, e për qendrat për punë sociale, në Shtime, Ferizaj dhe Lipjan.

Në lidhje me të gjeturat e raporteve nuk u dha detaje vetëm se u tha se është kërkuar një raport nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, për veprimet që ka ndërmarr prokurori dhe zyra për mbrojtjen e viktimave.

 “Gjatë këtij takimi u diskutua specifikisht për raportin e Inspektoratit shëndetësor, raportin e Inspektoratit të Policisë së Kosovës si dhe atë për Qendrat për Punë sociale: Shtime, Ferizaj dhe Lipjan. Përveç diskutimeve mbi raportet e inspektoratit dhe të cilat do të adresohen tek institucionet përgjegjëse, në këtë takim u adresuan edhe disa rekomandime”.

“Së pari, kërkesë drejtuar KPK për të bërë një raport në lidhje me veprimet që ka ndërmarrë prokurori i rastit dhe Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë Viktimave në raport me viktimën, gjithashtu informata kthyese nëse drejtoritë komunale kanë filluar masat disiplinore ndaj zyrtarëve që konsiderohet që nuk kanë respektuar procedurat standarde të veprimit”.

“Gjithashtu në këtë takim u adresuar nevoja për shtimin e kapaciteteve në qendrat për punë sociale, duke kërkuar nga kryetaret e komunave që të shihet mundësia e plotësimit të stafit në qendra me zyrtarë kompetent, deri në reformën që pritet të niset në Janar 2023”.

“Të ndahet raporti me Drejtorët e Drejtorive komunale dhe QPS-te të cilët janë marrë me rastin dhe të kërkohet përgjigje se çfarë hapa kanë ndërmarrë lidhur me rastin në fjalë”.

“Në këtë takim po ashtu u adresua shqetësimi, që në rastet e lëshimit të urdhrave mbrojtës, policia nuk po njoftohet nga gjykatat për aktvendimet për lëshimin e urdhrave mbrojtës si dhe mosndarja e procedurës së veprës dhunë në familje nga procedura e armëmbajtës pa leje”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndër të tjera u tha se është adresuar si shqetësim që rastet e lëshimeve të urdhërmbrotjeve, nuk po njoftohet policia, nga gjykatat.

Pas vdekjes së 35 vjecares shtatzënë në oborrin e QKUK-së, u suspenduan nga puna 4 zyrtarë policor, të stacionit në Lipjan.