Dikush avokat, ndonjë tjetër në kompani private, e dikush tjetër madje është propozuar në krye Shërbimit Informativ të Shqipërisë.

Këtë fat kanë pasur ndër vite drejtuesit më të lartë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Prandaj, informacionet top-sekrete të Kosovës, sipas Mentor Vrajollit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, janë vënë nën rrezik.

“Përderisa nuk janë të sistemuar në pozita të caktuara, atëherë në njëfar forme vihet në rrezik edhe kjo dispozita e cila është e paraparë për klasifikim të informacionit, për shkak se këta detyrohen të marrin detyra të caktuara dhe në një formë një pjesë e detyrave mund të vihet ndesh me obligimet që kanë sa i përket klasifikimit të informacionit”, ka deklaruar Mentor Vrajolli – QKSS.

Vrajolli thekson se shteti duhet t’i mbështesë edhe financiarisht personat që largohen nga pozita të larta në AKI.

Një nismë e tillë, ish kryetari i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, tregon se e kishin pasur.

Ndërsa  Haxhi Shala – ish-deputet i Kuvendit të  Kosovës ka thënë se “pas përfundimit të mandatit drejtori i AKI-së mund të jetë këshilltar i Presidentit apo i ndonjë agjencioni tjetër. Njëkohësisht disa shtete të tjera e kanë të rregulluar që tri vite mund ta marrë rrogën, por me të drejtë pune vetëm aty ku e parasheh shteti në disa agjencione”.

Shala vlerëson se ish-krerët e AKI-së, duhet patjetër të jenë pjesë e kabinetit të Presidentit.

“Më  e mira është që çdo përfundim të mandatit, Presidenti ta marrë si këshilltar të vetin për tri apo pesë vite dhe pas pesë vite të gjitha ato informacione që i ka drejtori vjetërsohen dhe nuk është me e rëndësishme se ku shkon pas përfundimit të mandatit si këshilltar”, ka shtuar Haxhi Shala – ish-deputeti i Kuvendi të Kosovës.

Rasti që ka ngritur debat gjatë javëve të fundit, ka qenë propozimi për emërim i Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, nga Kryeministri Edi Rama.

Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.