Përveç në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, të burgosurit që kanë çrregullime mendore, nuk kanë hapësirë tjetër ku mund të trajtohen.

Në rast se në këtë hapësirë, asnjë nga shtretërit nuk është i lirë, ata duhet të presin e të qëndrojnë në burg së bashku edhe me personat e tjerë.

Shpend Haxhibeqiri, drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, thotë se të burgosurit nuk marrin trajtim adekuat në burgje, çka edhe ka rezultuar që shumica prej tyre të kenë probleme psikike.

“Ne kemi pasur shumë kërkesa të shumta për trajtim të pacientëve, të cilët janë të burgosur dhe kanë përfunduar gjykimin, dhe gjendja e mos trajtimit adekuat nëpër burgje të Kosovës, me kërkesë të institucioneve kemi akceptuar një numër të madh të pacientëve, të cilët kanë pasur probleme mendore apo psikike, gjatë përballimit me gjendjen e tyre në burgje.”, ka thënë Haxhibeqiri.

Vëmendje më të madhe të institucioneve përgjegjëse, për këtë kategori ka kërkuar edhe avokati Osman Havolli, i cili thotë se problemi kryesor është mos krijimi i hapësirave të veçanta për personat që kanë çrregullime mendore.

“Në sherbimet korrektuese janë sistemet ambulatore, por nuk janë me kapacitetet e duhura që të bëjnë trajtimin e personave me crregullime mendore, nuk ka kuotra të posacme, mbi bazën e të cilëve do ishin vendos edhe këta persona me crregullime mendore, dhe të vazhdohet një mjekim intensiv i tyre, të izoluar nga personat e tjerë që janë në vuajtje të dënimit dhe këtu e shoh atë hendikepin atë të keqen më të madhe.”, ka thënë Havolli.

E nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se disa herë e kanë ngritur këtë çështje, që sipas tyre është shqetësuese, por askush nuk shpreh interesim të merret.

“Ne si organizatë kemi dhënë rekomandime që të ndërtohet një spital i veçantë për Shërbimin Korrektues, që do të mbulonte këto problematika, dhe jo vetëm sepse brenda burgjeve ka persona që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera të pashërueshme.”, ka thënë Demolli.

Milazim Gjocaj, drejtor i departamentit shëndetësor të Burgjeve, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se duhet t’i referohemi raportit të punës, për vitin 2022.

Në këtë raport, në kapitullin për shëndetin mendor, thuhet se viti i kaluar është mbyllur duke arritur qëllimet e planeve, por me vështirësi të theksuara.

Derisa nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, kanë thënë se përveç Institutit të Psikiatrisë Forenzike, në burgun e Dubravës është edhe Reparti i Psikiatrisë, që mbikëqyret 24 orë nga stafi.

“Në kuadër të Stacionarit Shëndetësor të Qendrës Korrektuese të Dubravës  ekziston edhe Reparti i Psikiatrisë, i cili  është në mbikëqyrje prej 24 orësh nga stafi shëndetësor, po ashtu është dhe Psikiatria Forenzike, e cila ndodhet në hapësirat e SHSKUK-së, por që ka kapacitete shumë të vogla në krahasim me nevojat që i kemi dhe si rezultat i kësaj SHKK në planin afat mesëm ka paraparë 2 milion e 300 mije euro për zgjerimin e objektit, e ku do të ketë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja.”

Në përgjigjen e këtij institucioni, është thënë se kanë plan që të investojnë 2 milionë e 300 mijë euro, për zgjerimin e objektit të IPF-së, që gjendet brenda QKUK-së.