Uashingtoni e ka këshilluar Izraelin që të vonojë ndërhyrjen e pritur tokësore në Gazë në mënyrë që të fitojë kohë për të negociuar lirimin e 212 pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe për të lejuar më shumë ndihmë për civilët palestinezë, ka raportuar TheGuardian, duke cituar disa zyrtarë amerikanë .

ShBA-të kanë kërkuar gjithashtu më shumë kohë për t’u përgatitur për sulme të mundshme nga grupet e mbështetura nga Irani ndaj interesave amerikane, duke shtuar se sulme të tilla ka të ngjarë të rriten kur Izraeli të nisë ndërhyrjen tokësore.

Megjithatë, gazeta vuri në dukje se zyrtarët thanë se administrata Biden “nuk po i bënte një kërkesë Izraelit dhe ende mbështet pushtimin tokësor dhe qëllimin e Izraelit për të zhdukur Hamasin”.

TheGuardian raporton se këshilla po transmetohej nga sekretari i mbrojtjes Lloyd J Austin, sepse Pentagoni ka këshilluar Izraelin për çështjet ushtarake dhe Austin ka pasur biseda telefonike pothuajse ditore me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant.

Ndryshe, dy palestinezë janë vrarë në kampin e refugjatëve Jalazone pranë Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli , tha të hënën Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Banorët kanë thënë se forcat izraelite bastisën kampin dhe kryen arrestime të gjera, ku u përleshën me persona të armatosur dhe disa të rinj që hodhën gurë.

Forcat izraelite janë tërhequr aktualisht në periferi të kampit, kanë shtuar banorët.

Ndërsa, ushtria izraelite nuk ka dhënë një deklaratë në lidhje me këtë incident.