Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se këtë të premte do të bëhet publikimi i rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).

Konferenca e ASK-së do të mbahet prej orës 10:00.

“Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos2024) është një nga projektet më madhore të një vendi në kohë paqeje, i realizuar nga 05 prill deri më 24 maj 2024. Të dhënat paraprake përfshijnë numrin e popullsisë sipas gjinisë në nivel të komunave përfshirë trendët më të fundit demografike. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë këtij procesi, të gjithë stafin e përfshirë në Regjistrim, institucionet që kanë mbështetur këtë proces, si dhe të gjitha mediat për korrektësinë dhe raportimin e drejt gjatë gjithë procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë (ReKos2024)”, thuhet në njoftim.

Afati i regjistrimit të popullsisë ishte nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa me kërkesë në disa komuna nga Qeveria e Kosovës ishte shtyrë edhe për një javë, deri më 24 maj.

Shtyrja e afatit ishte bërë pasi mund të kishte individë, ekonomi familjare që nuk ishin regjistruar, si në Dragash, Prishtinë, Prizren, Drenas, Fushë Kosovë, Skenderaj, Obiliq, Ferizaj, Shtërpcë, Kaçanik dhe Gjakovë.

Në periudhën sa është shtyrë regjistrimi, intervistat janë zhvilluar nga stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të popullsisë

Ylli Shala, menaxher i projektit në Agjencinë e Statistikave (ASK), ka theksuar se rënia e natalitetit dhe migrimi janë dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e numrit të popullsisë, por që sipas tij, në Kosovë nuk ka shumë rënie të numrit të banorëve.

Më 13 maj, kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë e 148 qytetarë.

Në konferencë për medie, Kastrati ka thënë se numri i qytetarëve të diasporës të regjistruar online ka kaluar 400 mijë, me pjesën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por që kanë nënshtetësi të Kosovës.