Misioni i NATO-së në Kosovë KFOR-i ka reaguar pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit, duke e dënuar vrasjen dhe plagosjen e pjesëtarëve të policisë nga grupe ushtarake terroriste.

“NATO dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës…KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në Banjska dhe trupat e KFOR-it janë të pranishme në zonë, të gatshëm për t’iu përgjigjur nëse kërkohet”, thuhet në njoftimin e tyre në Twitter.

“Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në komunikatën e tyre.

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka thënë se i dërgon ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit.