Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nëpërmjet një deklarate për media kanë bërë të ditur se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.

Tre policët kosovarë u rrëmbyen nga forcat serbe në territorin e shtetit të Kosovës kanë theksuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa, nga Beogradi zyrtar kanë pretenduar se janë arretuar në territorin e Serbisë.

“Pas ndalimit më 14 qershor të tre policëve të Kosovës, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka shqyrtuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka biseduar me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, edhe institucioent e Kosovës edhe ato të Serbisë kanë përgjegjësi për t’u koordinaur me KFOR-in afër vijës kufitare.

“Në këtë lokacion, afër Vijës Kufitare Administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in. Ua rikujtojmë të dyja palët përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it”, thuhet më tutje.

Ata kanë theksuar se vendosja e trupave të FSK-së në veri të vendit bëhëet më pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

“Kujtojmë gjithashtu të gjitha palët se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. U bëjmë thirrje palëve që t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zone”.