Ekipet e KFOR-it me autoblinda të tyre kanë bllokuar rrugën kryesore që të çon drejt objektit të komunës së Zubin Potokut.

Në afërsi të tyre gjenden edhe autoblindat e Policisë së Kosovës, për të kontrolluar qarkullimin dhe për ta forcuar sigurinë në këtë zonë.

Protestues të shumtë janë mbledhur në afërsi të objektit të komunës së Zubin Potokut. Ata po shprehin shqetësimin dhe kundërshtimin e tyre ndaj situatës aktuale politike ose veprimeve të autoriteteve lokale.

Pamje të protestuesve në Zubin Potok

Siç njofton ekipi në terren i RTV Dukagjinit, para objekteve të katër komunave në veri janë forca të shtuara të KFOR-it.

Misioni i paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka vendosur të shtojë praninë e forcave të tyre pranë hyrjes në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur ekipi i RTV Dukagjinit, i cili ndodhet në terren, ndërsa ky vendim vjen pas rritjes së tensioneve dhe incidenteve të fundit në këtë zonë.