Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se ka nisur procesi i integrimit gradual të Policisë së Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit.
Sipas KFOR-it, procesi ka nisur të hënën dhe do të zhvillohet në mënyrë graduale, në varësi të kushteve të sigurisë.
“Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushtet e sigurisë, dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe institucionet në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Megjithatë, KFOR-i ka theksuar se përgjegjësia e tij për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe të komuniteteve lokale mbetet e pandryshuar.
“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve lokale është i palëkundur”, thuhet në njoftim.
Misioni i NATO-s ka bërë të ditur se trupat e tij janë të pozicionuara në mënyrë që të mund t’i përgjigjen çdo zhvillimi të rëndësishëm, në përputhje me mandatin e KFOR-it të bazuar në rezolutat e Kombeve të Bashkuara.
“KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, theksohet në njoftim.
KFOR-i ka njoftuar gjithashtu se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.