KFOR-i rrit masat e sigurisë pas sulmit në kanalin Ibër-Lepencit
Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për rritjen e masave të sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në rajon. “KFOR-i, përmes Komandës Rajonale Lindje (RC-E), është i përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurisë, logjistike dhe inxhinierike për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë,” […]
Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për rritjen e masave të sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në rajon.
“KFOR-i, përmes Komandës Rajonale Lindje (RC-E), është i përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurisë, logjistike dhe inxhinierike për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë,” thuhet në deklaratën e KFOR-it.
Në njoftim, KFOR-i ka theksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
Më 29 nëntor, një shpërthim ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit, pas vendosjes së rreth 15 kilogramëve eksplozivë. Sulmi u dënua ashpër nga institucionet e Kosovës, të cilat e kanë akuzuar Serbinë për përfshirje të drejtpërdrejtë.
Dy persona me shtetësi serbe janë aktualisht në paraburgim lidhur me rastin.
Ndërkombëtarët gjithashtu kanë dënuar sulmin, duke kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë.
Kanali Ibër-Lepenc është një infrastrukturë kyçe për Kosovën.
Ai furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit të gjithë veriun e vendit, rajonin e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për ftohjen e termoelektranave të saj.















