Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se ka vendosur tabela të reja paralajmëruese përgjatë vijës kufitare Kosovë–Serbi, si dhe ka rinovuar disa nga ato ekzistuese për të përmirësuar dukshmërinë në terren.

Sipas njoftimit, qëllimi kryesor i këtij veprimi është të zvogëlohet rreziku i kalimeve të paqëllimshme nga qytetarët dhe të ruhet siguria në zonat përreth kufirit, të cilin KFOR-i e referon si “Vija Kufitare Administrative” (ABL).

“Ushtarët e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO-ja aktualisht po veprojnë përgjatë Vijës Kufitare Administrative, brenda zonës së përgjegjësisë së KFOR-it, për të instaluar tabela të reja. Për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit, këto tabela po vendosen për të shënuar qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale. Vendosja e këtyre tabelave do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme”, thuhet në njoftim.

Në një postim në Facebook, KFOR ka shpërndarë edhe pamje nga vendosja e këtyre shenjave në terren.