Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka hedhur akuza të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje gjatë përballjes në emisionin “Debat Plus”.
Ajo tha se raportet ndërkombëtare nuk e pasqyrojnë domosdoshmërisht realitetin në Kosovë, duke përmendur kontratat njëburimore dhe tenderët.
“Raportet e progresit që vijnë nga jashtë nuk munden me ditë ma mirë se na mrena për situatën këtu. Mbi një mijë kontrata njëburimore. Keni dalë në Kuvend edhe i keni mbrojtur. Keni mijëra kompani të IT-së në Kosovë, por keni shkuar në Shqipëri dhe ua keni dhënë kontratat atyre”, deklaroi Kica-Xhelili.
Ajo vazhdoi me akuza ndaj pushtetit, duke përmendur edhe rastin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
“Edhe 10 vjet deri sa të pranoni që jeni të korruptuar. Kur ka filluar hetimi për Nagip Krasniqin, çka keni bërë? Keni shkarkuar shefin e hetimeve. Keni bërë shantazhe te policët hetues që e kanë hetuar rastin”, tha ajo.
Kica-Xhelili ngriti pretendime edhe për deklarimin e pasurisë së Glauk Konjufcës.
“Me 13 prona që i ke deklaruar në vitin 2024, këtu janë zhdukur 10 prona dhe nuk e dimë ku kanë shkuar”, u shpreh ajo.
Pas kësaj deklarate, Konjufca reagoi duke e pyetur: “Pse po shpif?”, ndërsa Kica-Xhelili iu përgjigj: “Jo, nuk jam si ti që shpif.”