Kievi i kërkon NATO-s ta sigurojë Detin e Zi dhe ta integrojë mbrojtjen e Ukrainës

NATO duhet të luajë një rol më të madh në sigurinë në Detin e Zi dhe të integrojë mbrojtjen ajrore dhe raketore të Ukrainës me ato të anëtarëve të aleancës, kështu ka thënë të enjten ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba

Dmytro Kuleba, Ministri i Jashtëm i Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje NATO-s që ta luajë një rol më të madh për sigurimin e rajonit të Detit të Zi dhe ta integrojë mbrojtjen ajrore dhe raketore të Ukrainës me ato të anëtarëve të aleancës veri-atlantike.

Që kur nisi pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar, Deti i Zi dhe bregu i tij në Ukrainë kanë qenë pikë diskutimi për shkak të rëndësisë së këtyre zonave për luftën.

“Deti i Zi është instrumental për ta bërë të gjithë Evropën paqësore dhe për ta orientuar drejt së ardhmes”, ka thënë Kuleba, duke folur përmes video-lidhjes në një konferencë për sigurinë në Detin e Zi të mbajtur në Bukuresht.

“Mjerisht, ai është gjithashtu një vitrinë që tregon se sa shpejt gjërat mund të përkeqësohen nëse dikush i neglizhon kërcënimet. Është koha për ta shndërruar Detin e Zi në atë që është bërë tani Deti Baltik, një det i NATO-s”, ka shtuar ai, raporton Reuters.

Këto komente të Kulebas u hodhën poshtë në Moskë, ku zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha në një konferencë se “Deti i Zi nuk mund të jetë kurrë një det i NATO-s”.

“Ky është një det i përbashkët, duhet të jetë një det bashkëpunimi, ndërveprimi dhe sigurie për të gjitha shtetet e tij bregdetare”, ka shtuar ai.

Si Moska, ashtu edhe Kievi mbështeten në Detin e Zi për tregti. Përmes tij, ata bëjnë furnizimin e tregjeve të drithërave si dy nga eksportuesit më të mëdhenj të ushqimit në botë. Një bllokadë ruse ndaj këtyre transporteve rrezikoi të shkaktonte një krizë globale ushqimore vitin e kaluar.

Më vonë, Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndërmjetësuan një marrëveshje për të mbajtur portet të hapura, ndërsa aktualisht po punohen për zgjatjen e kësaj marrëveshjeje.

“Ne duhet të trajtojmë së bashku problemin e përbashkët të Rusisë”, ka thënë Kuleba. “Për shembull, unë mbështes idenë e ekspertëve për të integruar sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të Ukrainës me ato të aleatëve të NATO-s në Detin e Zi dhe Baltik”.

Flota ruse e Detit të Zi është e vendosur në Krime, gadishullin ukrainas që Moska e aneksoi në vitin 2014. Kapja e porteve të Ukrainës ka qenë një objektiv kryesor i Rusisë gjatë luftës që nisi vitin e kaluar.

Pas anëtarësimit të Finlandës në NATO dhe aplikimit të Suedisë, Rusia pritet që së shpejti të mbetet i vetmi vend me dalje në Detin Baltik që nuk është anëtare e NATO-s.

Aplikimet për anëtarësim në NATO nga Ukraina dhe Gjeorgjia do ta krijonin një situatë të ngjashme edhe në Detin e Zi, ku Bullgaria, Rumania dhe Turqia janë tashmë anëtare të aleancës ushtarake.

Kuleba ka thënë se samiti i ardhshëm i NATO-s do të ishte një mundësi për të ecur përpara në anëtarësimin e shumëkërkuar të Ukrainës në NATO, “për të treguar se dera nuk është vetëm e hapur, por se ka një plan të qartë se kur dhe si do të hyjë Ukraina në të”.

Shija e redaktorit

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Osmani: 28 Nëntori, kujtim i sakrificave dhe simbiozë e tri...

Në një urim për 28 Nëntorin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj dite, duke e cilësuar atë si një...

Të fundit nga rubrika