Kina dënon ndalesën e nënpresidentin të Tajvanit në Nju Jork

Ministria e Jashtme e Kinës shprehu kundërshtimin e saj ndaj një ndalese tranziti në Shtetet e Bashkuara të nënpresidentit të Tajvanit William Lai ndërsa ai po udhëtonte drejt Paraguajit

Ministria e Jashtme e Kinës shprehu kundërshtimin e saj ndaj një ndalese tranziti në Shtetet e Bashkuara të nënpresidentit të Tajvanit William Lai ndërsa ai po udhëtonte drejt Paraguajit, duke paralajmëruar të dielën se mund të marrë “masa të forta” në përgjigje të vizitës.

Në deklaratën e saj të së dielës, Ministria e Punëve të Jashtme tha: “Kina dënon fuqishëm vendimin e Shteteve të Bashkuara për të planifikuar të ashtuquajturën ndalesë”, duke shtuar se Pekini kundërshton me vendosmëri “çdo formë zyrtare të kontaktit të qeverisë amerikane me rajonin e Tajvanit”.

Lai, shtoi deklarata, “i përmbahet me kokëfortësi pozicionit separatist për ” pavarësinë e Tajvanit ” dhe se ai është një njeri “krejtësisht problematik”.

Lai është një mjek i shkolluar në Harvard, i cili tani është i angazhuar në politik dhe është kandidati kryesor në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Tajvanit. Ai e ka përshkruar më parë veten si një “punëtor praktik për pavarësinë e Tajvanit”, por gjatë fushatës ai ka theksuar se nuk po përpiqet të ndryshojë situatën aktuale. Ai gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për të krijuar miqësi me Kinën.

Para se të nisej, Lai foli me gazetarët, por nuk përmendi Shtetet e Bashkuara. Me të mbërritur në hotelin e tij në Nju Jork, ai u përshëndet nga dhjetëra mbështetës, të cilët valëvitën flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit, si dhe flamurin bardh e gjelbër të Partisë së tij Demokratike Progresive në pushtet.

Në llogarinë e tij në platformën X, dikur Twitter, udhëheqësi tajvanez shkroi se ishte i lumtur që mbërriti në Nju Jork dhe se ai “mezi priste të takohej me miqtë e tij”.

Analistët thonë se gjatë ndalesave të nënpresidentit Lai-t, Taipei dhe Uashingtoni do të përpiqen të mos përkeqësojnë më tej tensionet SHBA-Kinë, por vizita vjen ndërsa sfidat në marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë vazhdojnë të rriten.

“Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara do të përpiqen ta bëjnë këtë udhëtim domethënës për Lai, por jo në një mënyrë që godet ariun (Kinën)”, tha për Zërin e Amerikës Lev Nachman, analist politik në Universitetin Kombëtar Chengchi në Tajvan.

Kandidatët presidencialë tajvanezë kanë vizituar Shtetet e Bashkuara gjatë fushatave zgjedhore në të kaluarën, por ekspertët thonë se roli i Lai si nënpresident i Tajvanit do ta bëjë Uashingtonin të trajtojë ndalesën e tij të shkurtër më me kujdes, sepse nuk dëshiron që të perceptohet si mbështetëse e Lait.

“Shtetet e Bashkuara nuk mund ta trajtojnë Lain as shumë mirë dhe as shumë keq, kështu që unë mendoj se lejimi i tij të kalojë tranzit nëpër Nju Jork dhe San Francisko është një kompromis”, i tha Zërit të Amerikës Chen Fang-yu, studiues politik në Universitetin Soochow në Tajvan.

Chen shtoi se duke marrë parasysh që Uashingtoni shpreson të ketë rrisë angazhimin ushtarak dhe diplomatik me Kinën dhe vizitën me ftesë të qeverisë amerikane e Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi në Uashington, zyrtarët amerikanë do të përpiqen t’i bëjnë ndalesat e nënënpresidentit tajvanez Lai “më pak formale” për të shmangur një reagim të tepruar nga Pekini.

“Nga pikëpamja diplomatike, Shtetet e Bashkuara do të donin të shmangnin befasitë”, tha ai.

Pas qëndrimit një ditor në Nju Jork, Lai do të shkojë në Paraguaj. Autoritetet tajvaneze nuk kanë dhënë shumë hollësi mbi agjendën e Lait, por burime që kanë njohuri mbi ndalesën e tij i thanë Zërit të Amerikës se ai mund të zhvillojë një takim me komunitetin tajvanezo-amerikan.

Pas mbërritjes së tij të dielën, Laura Rosenberger, kryetarja e Institutit Amerikan në Tajvan, një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga qeveria amerikane që menaxhon marrëdhëniet jozyrtare me Tajvanin, konfirmoi në platformën X se ajo do të takohej me Lai kur ai të kthehej në San Francisko të mërkurën, para kthimit të tij në Tajvan.

Nënpresidenti Lai bëri ndalesa të ngjashme tranziti në Shtetet e Bashkuara në janar të vitit 2022 si pjesë e udhëtimit të tij në Honduras. Gjatë atyre ndalesave, ai zhvilloi takime virtuale me ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe senatoren Tammy Duckworth dhe u takua me anëtarë të komunitetit tajvanez. Këtë radhë, nuk është e qartë nëse ai do të ketë diskutime të tilla të nivelit të lartë dhe si mund t’i përgjigjet Pekini ndonjë prej aktiviteteve të tij.

Kina e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si pjesë të teorritorit të saj dhe ka rritur presionin ushtarak në vitet e fundit në përpjekje për të detyruar ishullin të pranojë sovranitetin kinez.

Qeveria e Tajvanit thotë se vetëm banorët e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.

Shtetet e Bashkuara ndjekin politikën e një Kine të vetme, dhe nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Tajvanit dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike me ishullin.

Megjithatë, ligji amerikan kërkon një mbrojtje të besueshme për Tajvanin dhe që Uashingtoni t’i trajtojë si çështje të rëndësisë së lartë të gjitha kërcënimet ndaj ishullit./VOA.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika