Kina shpreson se Rusia dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime të paqes

Ministri i Jashtëm i Kinës të enjten i ka kërkuar Kievit dhe Moskës që të rifillojnë bisedimet e paqes "sa më shpejt të jetë e mundur", ndërsa Kievi ka thënë se thirrja ka ngritur gjithashtu rëndësinë e integritetit territorial të Ukrainës

Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang.

Kina është e shqetësuar lidhur me përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe shpreson që Moska dhe Kievi do të mbajnë bisedime të paqes, ka thënë kryediplomati kinez, Qin Gang, gjatë bisedës telefonike që zhvilloi të enjten me homologun e tij ukrainas.

Kina, që nuk ka dënuar Rusinë për nisjen e pushtimit të Ukrainës, u ka bërë thirrje palëve që gradualisht të ulin tensionet, që do të çonte drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe. Këtë Pekini e ka paraqitur në një dokument prej 12 pikash, që ka të bëjë me “zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë”.

Plani, që nuk është mirëpritur aq mirë nga asnjëra palë, bën thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e sovranitetit të të dyja shteteve.

“Kina shpreson që të gjitha palët të jenë të qeta, racionale dhe të përmbajtura, si dhe të rinisin bisedimet e paqes sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Qin gjatë bisedës me kryediplomatin ukrainas, Dmytro Kuleba, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.

Qin shtoi se Kina shpreson që Ukraina dhe Rusia të mos ia mbyllin derën zgjidhjes politike pa marrë parasysh sesa e vështirë dhe sfiduese është situata, ka thënë Ministria e Jashtme kineze.

Kuleba ka thënë se ai dhe Qin diskutuan për “rëndësinë e parimit të integritetit territorial”, raporton Reuters.

“Unë theksova rëndësinë e Formulës së Paqes [të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky] për dhënien fund të agresionit dhe rivendosjes së paqes në Ukrainë”, ka thënë Kuleba përmes një postimi në Twitter.

Ukraina ka thënë se çdo plan që i jep fund konfliktit duhet të përfshijë tërheqjen e trupave ruse nga kufijtë e Ukrainës të vendosura më 1991, në vitin kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, pritet të vizitojë presidentin rus, Vladimir Putin, javën e ardhshme dhe të mbajë një takim virtual me Zelenskyn.

Analistët kanë thënë se do të jetë e vështirë për Kinën që të bindë Rusinë dhe Ukrainën të ulen në tryezën e diskutimeve, por disa kanë theksuar se Xi mund të jetë personi që mund të nisë momentumin që do të çonte drejt mbajtjes së bisedimeve.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika