Gjatë një vizite në Rahovec, Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “organizatë terroriste” dhe ka krahasuar veprimet e saj me disa prej ngjarjeve më të rënda në historinë botërore. Ai gjithashtu ka akuzuar institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.

“Vëllezërit tanë kanë pësuar sepse terroristët e UÇK-së nuk i donin serbët në këto hapësira”, ka deklaruar Popoviq, duke u ndalur tek viktimat serbe të luftës në Kosovë.

Ai ka shprehur pakënaqësi që sipas tij, autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë.

Gjithashtu, Popoviq ka akuzuar institucionet ndërkombëtare për dështim në hetime dhe drejtësi.

“Përkundër të gjitha grupeve ndërkombëtare të hetuesve të UNMIK-ut, EULEX-it dhe Tribunalit të Hagës, nuk ka të dënuar apo të ndëshkuar, përkundrazi, UÇK-ja vazhdon të cilësohet si organizatë çlirimtare dhe luftëtarë për liri”, ka thënë ai.

Pas këtyre deklarimeve të konsideruara provokuese dhe nxitëse të urrejtjes ndëretnike, Policia e Kosovës e ka ndaluar Popoviqin në pikën kufitare të Bërnjakut dhe e ka shoqëruar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, për procedura të mëtejshme hetimore.

Lajmi është konfirmuar nga burime të televizionit Dukagjini, të cilat kanë bërë të ditur se ndalimi ka ardhur pikërisht si pasojë e fjalimit të mbajtur në Rahovec, i cili përmbante gjuhë fyese ndaj UÇK-së dhe historisë së luftës së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se është duke ndjekur procedurat për këtë rast dhe se priten detaje të tjera zyrtare lidhur me bazën ligjore të ndalimit të zyrtarit serb dhe hapat e ardhshëm hetimorë.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka dënuar ashpër deklaratat e Popoviqit, duke i cilësuar si përpjekje për të përhapur urrejtje dhe për të përçuar narrativat e regjimit të Millosheviqit.

“Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovë’ në Serbi, ka mbajtur sot një fjalim në Rahovec. Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore. Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë”, ka deklaruar ministri Sveçla.

Ai shtoi se “Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran. Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh. Nuk do të tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, ka thënë Sveçla.