Gazetari Vullnet Krasniqi ka bërë bujë pas pranimit të orientimit të tij homoseksual në edicionin e tretë të Big Brother VIP Kosova. Për herë të parë, ai ka treguar publikisht se është “gay”.

Një prej reagimeve ka ardhur nga Abdullah Klinaku, i cili, i ftuar në Debat Plus, ka shprehur mendimin e tij për këtë situatë. Ai ka theksuar se orientimi seksual është një çështje individuale, por se promovimi i tij në media është “i panevojshëm”.

Sipas Klinakut, është e natyrshme që çdo individ të ketë orientimin e tij, por promovimi i tij ka pasoja, duke ndikuar në të drejtat dhe normat shoqërore.

“Pra, e mbrapshta s’paska fund, marre se çfarë po na servohet ne TV”, kishte kritikuar Klinaku.

Ai shtoi se kauza e tij është e orientuar për mbrojtjen e familjes, duke u shprehur se “forcimi i të drejtave individuale mund të cenohet nga disa të drejta të tjera shoqërore”.

“Kjo nuk ndërlidhet me të drejtën individuale të dikujt, kauza jonë është ndërtu për familjen sepse është sociale dhe shoqërore dhe nëse forcohen disa të drejta individuale cenohen disa të drejta tjera. Ideja e orientimit, por promovimi aq i fuqishëm që ishte bërë dje, mendoj që është komplet i panevojshëm, mendoj sikur një heteroseksual me dalë më tregu një përvojë të tij individuale, thjesht e ka orientimin e vet dhe ë ta mban për vete” ka deklaruar Klinaku.