Pas publikimit të audio-incizimeve ku Mimoza Kusari – Lila flet me Sllavko Simiqin për veteranët, këta të fundit kanë paralajmëruar se do të marrin masa në kundërshtim të Qeverisë së Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se protesta tashmë është e pashmangshme për shkak se është fyer identiteti i veteranëve.

Tutje, ai ka thënë se “Sipas gjitha gjasave, Kusari dhe Simiq e dinë vendndodhjen e Radojçiqit”.

“Sa i përket veprimeve do të vendosin organet drejtuese që do t’i thërrasim. Ne e kemi pasur të ditur për përgjimet, sepse kur kemi bërë protesta, që pushteti ka tentuar t’i heqë veteranët nga paga minimale, e kemi parë që kanë qenë të koordinuar me Listën Serbe”.

“Protestat do të jenë të pashmangshme, është çështja e ofendimit të veteranëve, prekja në dinjitetin e tyre, duke pasur për bazë që në përgjime do të duhej të merrej Prokuroria, sepse të kesh kontakte me një kriminel, do të duhej të ketë punë Prokuroria, të merren në pyetje Simiqin dhe Kusarin”, ka thënë ai.

Protesta ka paralajmëruar edhe partia opozitare AAK.